Transmetuar më 17-06-2026, 20:30

BRUKSEL – Rregullat e sjelljes në stadiumet e Kupës së Botës 2026 pritet të jenë më të rrepta se më parë, duke përfshirë jo vetëm ndalimin e substancave dhe mjeteve të rrezikshme, por edhe disa forma të sjelljes publike mes tifozëve.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, FIFA ka përfshirë në udhëzimet e saj edhe kufizime që lidhen me “shfaqjet e papërshtatshme të dashurisë”, një kategori e përgjithshme që mund të përfshijë sjellje të konsideruara të tepruara në hapësirat publike të stadiumeve.

Në këtë kuadër, përfshihen edhe raste të puthjeve të zgjatura ose tepër pasionante, ndërsa puthjet e shkurtra mbeten të lejuara. Megjithatë, organizata nuk ka përcaktuar qartë kufij të saktë për zbatimin e këtij rregulli, duke i lënë stafit të stadiumeve diskrecion në vlerësimin e situatave konkrete.

Sipas burimeve të cituara nga media gjermane “Bild”, tifozët do të njoftohen përmes altoparlantëve për sjelljet e ndaluara, të cilat përfshijnë gjithashtu fyerjet, pirjen e duhanit, përdorimin e substancave, gjestet ofenduese dhe baste të paligjshme.

Edhe pse deri më tani nuk janë raportuar raste ndëshkimesh për sjellje të tilla, rregullat e reja synojnë të rrisin kontrollin dhe standardet e sjelljes në ambientet sportive.

Në listën e ndalesave përfshihen gjithashtu disa sende të pazakonta, si mielli, letra higjienike, tullumbacet dhe flamujt që tejkalojnë përmasat e lejuara nga rregulloret e FIFA-s.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit