

TIRANË – Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare aktori dhe regjisori shqiptar Gjergji Lala, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në artin skenik dhe kinematografinë shqiptare, si dhe një boshllëk të ndjeshëm në komunitetin e artdashësve.
I lindur në Lushnjë, Lala i kushtoi dekada të tëra skenës dhe ekranit, duke u dalluar për talentin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij. Ai do të kujtohet veçanërisht për rolin e Mihal Gramenos në filmin “Liri a Vdekje”, një interpretim që mbetet ndër më të spikaturit në karrierën e tij artistike.
Gjatë jetës së tij, ai mori pjesë në një sërë filmash dhe shfaqjesh teatrore, duke lënë gjurmë të qëndrueshme në kinematografinë shqiptare. Prej vitesh ai jetonte në Itali, ku vijoi aktivitetin e tij artistik duke marrë pjesë në projekte filmike dhe televizive.
Sipas artistëve nga Lushnja, me dëshirën e tij të fundit, trupi i të ndjerit pritet të prehet në vendlindje, pas kthimit nga Italia.
Filmografia e tij përfshin një sërë veprash të njohura, ndër të cilat: “Tokë e përgjakur” (1976), “Nusja dhe shtetërrethimi” (1978), “Liri a Vdekje” (1979), “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Në prag të lirisë” (1981), “Shtëpia jonë e përbashkët” (1982), “Një emër midis njerëzve” (1983) dhe “Lumi që nuk shteron” (1989).
Ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit të artdashësve. Kujtimi i Gjergji Lalës do të mbetet i gjallë përmes veprës së tij artistike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






