

Ngjarja e ndodhur ditën e sotme në Fushë-Arrëz duket se ka ka pasur detaje të tjera dhe arsye më absurde për të përfunduar në dhunë fizike ndaj çiftit të bashkëshortëve.
Detaje të reja tregojnë se ndërsa 55-vjeçari Skënder Nika, po kthehej nga puna në Hidrocentralin e Fierzës është përballur me personat e paidentifikuar të cilët i kanë zënë pritë duke ushtruar dhunë me sende të forta.
Mësohet se Bardha Nika, bashkëshortja e tij pasi ka dëgjuar zhurmat dhe britmën e të shoqit ka dalë në rrugë me qëllim për ta shpëtuar por edhe ajo ra pre e dhunës. Zonja Nika ka deklaruar se e gjithë rrjedha e ngjarjes ka nisur para tri ditësh, ku autori i dyshuar nga ajo ka pasur një përplasje me djalin e saj.
“Para tre ditësh Kristian Bala më ka sharë djalin. I ka dalë djalit me automatik. Ka ardhur edhe policia, shefi i policisë së Pukës ka dalë në bjeshkë”, u shpreh 51-vjeçarja.
Çifti i bashkëshortëve përfunduan në urgjencën e Spitalit të Pukës të cilët bëjnë me dije se 55-vjeçari ka dëmtime të shumta në brinjë dhe hematoma të tjera.
Sipas dëshmisë së çiftit Nika, në fillim agresorët janë prezantuar si policë teksa njëri prej tyre ishte i pajisur me armë zjarri.
Policia pas denoncimit të ngjarjes ka arritur në zonën e fshatit Ars, ndërsa mendohet se autorët e ngjarjes janë larguar në drejtim të zonës së pyllëzuar Arst-Miliska.
Sipas raportimeve, në fillim u dyshua se arsyeja e sulmit ndaj çiftit Nika ka qënë zbulimi i parcelave të drogës nga policia në tokat e fqinjëve të tyre ku këta të fundit mund të kishin njoftuar forcat policore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






