

Policia ka shoqëruar shtetasin Petrit Balaj dhe ka shpallur në kërkim Kristjan Balaj, të dyshuar si autorë të dhunimit të çiftit Skënder dhe Bardhë Nika, ngjarje e ndodhur në fshatin Arst të bashkisë Fushë-Arrëz.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku disa persona të maskuar kanë ndaluar dhe më pas kanë ushtruar dhunë fizike ndaj çiftit Nika në rrugë.
Skënder Nika ka deklaruar se fillimisht është ndaluar nga persona të maskuar që janë prezantuar si policë dhe më pas është goditur fizikisht. Sipas tij, pas daljes së bashkëshortes nga banesa, edhe ajo është dhunuar nga të njëjtët persona.
Ai ka shtuar se njëri prej autorëve dyshohet të ketë qenë i armatosur me automatik, ndërsa të tjerët kanë përdorur shkopinj gome. Nika ka deklaruar gjithashtu se më herët ka pasur konflikte me një familje të zonës.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka bërë me dije se paraprakisht dyshohet për përfshirjen e dy autorëve në ngjarje, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, dy persona ende të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta çiftin S. N., 55 vjeç dhe B. N., 51 vjeçe, të cilët kanë marrë dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






