Transmetuar më 17-06-2026, 18:06

“Vrasjen e Rexhep Ginës e planifikuam në Athinë”, dëshmia e Artan Tafanit në GJKKO

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani, ka dhënë këtë të mërkurë dëshmi në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku ka rrëfyer detaje lidhur me planifikimin e vrasjes së Rexhep Ginës, një atentat që sipas tij nuk u realizua.

Gjatë seancës gjyqësore, ku mungonte i pandehuri Laert Haxhiu, Tafani iu përgjigj pyetjeve të avokatit të këtij të fundit dhe tregoi se diskutimet e para për eliminimin e Ginës kishin nisur në Athinë të Greqisë.

Sipas dëshmisë së tij, në verën e vitit 2022 janë ndërmarrë veprime konkrete për vrasjen e Rexhep Ginës. Tafani deklaroi se nuk e ka njohur personalisht Ginën, por vetëm përmes fotografive.

Ai tha se personi më i interesuar për kryerjen e vrasjes ishte Laert Haxhiu, pasi mes familjes së këtij të fundit dhe Rexhep Ginës ekzistonte një konflikt i vjetër që lidhej me hasmëri dhe çështje pronësie. Sipas Tafanit, Gina kishte qenë pjesë e grupit të Aldo Bares dhe konfliktet me familjarët e Haxhiut kishin nisur vite më parë.

Tafani deklaroi se bisedat e para për atentatin janë zhvilluar në Athinë mes tij, Laert Haxhiut, Marjo Diamantit dhe Xhino Bajramit. Sipas tij, Marjo Diamanti kishte kontakte me një efektiv policie greke, përmes të cilit synohej të siguroheshin informacione për vendndodhjen e Rexhep Ginës, i cili jetonte në Athinë.

Më tej, bashkëpunëtori i drejtësisë tregoi se pas rikthimit në Shqipëri, diskutimet për atentatin kanë vazhduar. Ai deklaroi se Laert Haxhiu kishte vendosur persona të tij për të mbajtur nën vëzhgim Ginën. Sipas Tafanit, këta persona monitoronin lëvizjet e tij pranë lokalit që frekuentonte dhe i dërgonin Haxhiut foto dhe video për aktivitetin e përditshëm.

Në dëshminë e tij, Tafani tha se për realizimin e atentatit kishte shkuar së bashku me Fatjon Veliun. Ai ka treguar edhe më herët se, për të mos u identifikuar, ishte maskuar duke veshur rroba grash, duke përdorur paruke dhe një maskë silikoni në fytyrë.

Megjithatë, sipas tij, vrasja nuk u krye. Tafani deklaroi se në momentin e fundit vendosi të tërhiqej nga plani, pasi kishte pasur mosmarrëveshje dhe përplasje me Laert Haxhiun.

Dëshmia e tij është pjesë e procesit gjyqësor që po zhvillohet në GJKKO ndaj grupit të akuzuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit