

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 16 persona në lidhje me protestën e zhvilluar në kryeqytet, duke i akuzuar për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Mes personave të proceduar ndodhen edhe emra të njohur të protestës, si Arben Kola, Luçiana Kokaj dhe Arilda Lleshi, të cilët janë identifikuar më herët si nismëtarë të lëvizjes qytetare.
Sipas Policisë, nga veprimet hetimore ka rezultuar se të proceduarit dyshohet se kanë nxitur pjesëmarrësit që të vijonin tubimin edhe pas orarit të njoftuar zyrtarisht, nga ora 18:00 deri në 22:00, si dhe jashtë perimetrit të miratuar për zhvillimin e protestës.
Autoritetet bëjnë me dije se si pasojë e këtyre veprimeve është shkaktuar bllokim i qarkullimit të automjeteve dhe pengim i lëvizjes së qytetarëve në disa zona të kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, një pjesë e protestuesve kanë hyrë edhe në fan zonën e ngritur në sheshin “Skënderbej” për ndjekjen e aktiviteteve sportive, ku dyshohet se kanë prishur qetësinë publike dhe kanë bërë thirrje që qytetarët e pranishëm t’i bashkoheshin protestës.
Mes personave të proceduar janë Arben Kola, Luçiana Kokaj, Arilda Lleshi, Ernest Kapo, Aurel Kujtimi, Tomas Kroja, Mateo Yskollari, Xhonatan Dobrozi, Sergo Tafa, Ilir Xhemalaj, Ergi Qoku, Ervis Krepi, Ali Dizdari, Sokol Gjoka dhe Emir Lecini.
Ndërkohë, Policia ka shpallur në kërkim Eduart Qemën dhe Markel Capon, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në organizimin dhe zhvillimin e veprimeve të kundërligjshme gjatë protestës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Policia bën me dije se dy ditë më parë ishin proceduar penalisht edhe 19 persona të tjerë në lidhje me të njëjtat ngjarje.
Tiranë
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me bllokimin e rrugëve në qytetin e Tiranës nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim, nga strukturat e DVP Tiranë janë proceduar penalisht 16 shtetas, konkretisht:
A. K., 46 vjeç, L. K., 33 vjeçe dhe A. Ll., 30 vjeçe, E. K., 32 vjeç, A. K., 30 vjeç, T. K., 24 vjeç, M. Y., 22 vjeç, Xh. D., 23 vjeç, S. T., 22 vjeç, I. Xh., 44 vjeç, E. Q., 41 vjeç, E. K., 23 vjeç, A. D., 21 vjeç, S. Gj., 33 vjeç, A. K., 30 vjeç dhe E. L., 21 vjeç, të dyshuar për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Si dhe po punohet për shoqërimin e shtetasve E. Q dhe M. C, të shpallur në kërkim policor.
Nga veprimet e deritanishme, dyshohet se këta shtetas kanë nxitur, nëpërmjet thirrjeve, pjesëmarrësit për ta vijuar tubimin përtej orarit të njoftuar nga organizatorët (18:00–22:00), duke mos respektuar perimetrin e njoftuar për këtë tubim. Si pasojë, është shkaktuar bllokim i qarkullimit të mjeteve dhe pengesë në lëvizje.
Po nga veprimet e kryera, një pjesë e pjesëmarrësve në tubim janë futur në pjesën e fan zonës, në sheshin “Skënderbej”, të përshtatur dhe të destinuar për ndjekje të aktiviteteve sportive, duke prishur qetësinë publike dhe duke bërë thirrje qytetarëve që ndiqnin aktivitetin sportiv që t’i bashkoheshin tubimit.
Vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë përgjegjës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Dy ditë më parë u referuan materialet dhe filloi procedimi penal edhe për 19 shtetas të tjerë.
Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit që të respektojnë orarin, perimetrin dhe lëvizjen, për të mos bllokuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve jashtë perimetrit që është njoftuar për zhvillimin e tubimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






