Transmetuar më 17-06-2026, 16:41

Parlamenti Europian miratoi këtë të mërkurë raportin për Shqipërinë, duke përfshirë në tekstin final shqetësime lidhur me ligjin për investimet strategjike dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, por pa miratuar amendamentet që lidhnin drejtpërdrejt këto çështje me projektin turistik në Sazan dhe zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Në versionin e miratuar, eurodeputetët shprehin keqardhje për zgjatjen e ligjit të vitit 2015 për Investimet Strategjike, duke argumentuar se procedurat e përshpejtuara të autorizimit dhe niveli më i ulët i vlerësimit mjedisor mund të krijojnë pasoja negative për zonat e mbrojtura dhe territore të tjera me ndjeshmëri të lartë ekologjike.

Po ashtu, Parlamenti Europian kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke vlerësuar se ato mundësojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda këtyre zonave dhe transferojnë kompetenca të rëndësishme vendimmarrëse te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar mekanizmat e mbikëqyrjes mjedisore.

Megjithatë, eurodeputetët rrëzuan një amendament alternativ me formulim më të ashpër, i cili përmendte në mënyrë të drejtpërdrejtë marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti turistik në ishullin e Sazanit dhe në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Amendamenti i rrëzuar përfshinte gjithashtu kërkesa për mbështetjen e hetimit antikorrupsion të nisur nga SPAK në këtë kontekst, si dhe për garantimin e së drejtës së protestës paqësore, duke iu referuar përplasjeve të ndodhura në fund të muajit maj mes protestuesve dhe kompanive private të sigurisë.

Po ashtu, nuk u miratua një amendament tjetër që shprehte shqetësim specifik për zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, protestat qytetare dhe kërkonte vendosjen e një moratoriumi të menjëhershëm për lejet e reja, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura deri në harmonizimin e plotë të legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian.

Votimi i Parlamentit Europian tregon se shumica e eurodeputetëve zgjodhën të mbajnë në raport kritikat ndaj kuadrit ligjor për investimet strategjike dhe mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri, por pa përfshirë referenca të drejtpërdrejta ndaj projektit të Sazanit, kompanisë Affinity Partners, hetimeve të SPAK-ut apo incidenteve të fundit të lidhura me protestat.

Në praktikë, raporti final ruan shqetësimet për aspektet ligjore dhe mjedisore të zhvillimeve në zonat e mbrojtura, ndërsa çështjet që lidhen konkretisht me projektin e Sazanit dhe aktorët e përfshirë në të mbetën jashtë tekstit të miratuar nga Parlamenti Europian.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit