Transmetuar më 17-06-2026, 14:50

Parlamenti Europian ka miratuar këtë të mërkurë rezolutën mbi raportin e Shqipërisë për vitin 2025, duke i dhënë një mbështetje të fortë politike procesit të integrimit europian të vendit.

Raporti u miratua me 483 vota pro, në një votim që konsiderohet një sinjal i qartë besimi ndaj progresit të arritur nga Shqipëria në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Dokumenti është hartuar nga raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, dhe më herët ishte miratuar edhe në Komisionin për Punët e Jashtme, ku mori 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime.

Gjatë debatit në seancën plenare, raportuesi Andreas Schieder dhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, vlerësuan reformat dhe progresin e bërë nga Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit. Ata theksuan se objektivi për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 mbetet i arritshëm, nëse vendi vijon me ritmin aktual të reformave.

Përpara votimit të raportit final, eurodeputetët shqyrtuan dhe votuan një sërë amendamentesh të propozuara nga grupet politike të Parlamentit Europian. Disa prej tyre kishin të bënin me zhvillimet e fundit në Shqipëri, përfshirë protestat kundër projekteve turistike në zonën e Vjosë-Nartës dhe ishullin e Sazanit.

Miratimi i raportit shihet si një tjetër hap pozitiv në procesin e afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe një konfirmim i mbështetjes së institucioneve europiane për vijimin e reformave dhe avancimin e negociatave të anëtarësimit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit