Transmetuar më 17-06-2026, 13:36

Tiranë, 17 Qershor 2026 – I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka dëshmuar sërish përpara togave të zeza në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Laert Haxhiut. Gjatë seancës së sotme, Tafani ka zbardhur prapaskenat e planifikimit të një atentati të mbetur në tentativë ndaj shtetasit Rexhep Gina. Sipas dëshmisë së tij, eliminimi fizik i Ginës ishte organizuar për motive hasmërie dhe përplasjeje pronash, ku në skenë del edhe emri i të vrarit në Greqi, Mario Diamanti, si dhe përfshirja e dyshuar e një oficeri të policisë greke për sigurimin e të dhënave.

Gjatë marrjes në pyetje nga pala mbrojtëse, bashkëpunëtori i drejtësisë ka rindërtuar me detaje kronologjinë e ngjarjeve, që nga takimet e para në Athinë në vitin 2021 e deri te ndjekja në terren e shënjestrës në Shqipëri.

Më poshtë vijon procesverbali i plotë i dëshmisë dhe ballafaqimit të Artan Tafanit me avokatin mbrojtës në sallën e gjyqit:

Avokati: Korrik 2022 ku keni qenë? Artan Tafani: Në Astir me Laertin, në shtëpi. Bashkë kemi jetuar në atë kohë.

Avokati: A ju kujtohet të keni kryer ndonjë aktivitet kriminal, gjatë korrikut 2022? Artan Tafani: Mos gaboj, kemi marrë veprimet për të kryer vrasjen e Rexhep Ginës. Personalisht nuk e njihja.

Avokati: Kush e porositi dhe pse? Artan Tafani: Për punë hasmërie, ka qenë te grupi i Aldo Bares. Ka qenë dhe një konflikt pronash. Ma ka shpjeguar Laerti arsyen pak a shumë. Në Lushnjë te lokali i Rexhep Ginës ka pasur toka dhe xhaxhai i Laertit aty.

Avokati: Kur e keni diskutuar për herë të parë? Artan Tafani: Në Athinë, Greqi.

Avokati: Keni bërë plan? Artan Tafani: Rexhep Gina në atë kohë jetonte në Athinë, prandaj. Ma tha mua personalisht dhe Mario Diamantit, do merrnin informacione përmes një polici grek.

Avokati: Kush kanë qenë të pranishëm? Artan Tafani: Mario Diamanti që është vrarë në Greqi, unë dhe Laert Haxhiu. Takimi në Greqi është bërë në 2021 mos gaboj.

Avokati: Sa keni qëndruar në Greqi? Artan Tafani: 10 ditë, ika pastaj. Laerti erdhi në tetor.

Avokati: Keni diskutuar më për Rexhep Ginën? Artan Tafani: Po, për vrasjen e Rexhep Ginës. E ruante Laerti vazhdimisht, e ndiqnin dhe njerëzit e Laertit. Dy persona i çonin video dhe foto Laertit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit