Transmetuar më 17-06-2026, 10:48

Valencia, 17 Qershor 2026 – Një operacion ndërkombëtar antidrogë i zhvilluar nga autoritetet spanjolle ka çuar në shkatërrimin e dy plantacioneve gjigante të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura dhe në arrestimin e katër anëtarëve të një grupi kriminal. Sipas të dhënave të bëra publike nga mediat vendase, operacioni i koduar u finalizua në lokalitetin e Olivës në provincën e Valencias, ku ranë në pranga katër burra të moshave nga 25 deri në 55 vjeç, me shtetësi shqiptare dhe ukrainase. Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat për trafikim të lëndëve narkotike, falsifikim dokumentesh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe vjedhje masive të energjisë elektrike.

Hetimi i gjerë fillimisht u nis nga ankesat dhe sinjalizimet për aroma të forta e të dyshimta që vinin nga një banesë e vendosur në qendrën urbane të Olivës. Karakteristikat e jashtme të këtij objekti nuk jepnin shenja dyshimi se mund të shërbente si laborator droge, çka nxiti agjentët e Ekipit Territorial të Policisë Gjyqësore të Gandías të nisnin vëzhgimet e fshehta në terren. Përmes këtyre metodave speciale të hetimit, strukturat policore zbuluan edhe një banesë të dytë në një zonë më të izoluar të të njëjtit lokalitet, ku po ashtu kryhej i njëjti aktivitet i paligjshëm. Në të dyja shtëpitë u konstatua se ishte ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në rrjetin elektrik për të përballuar konsumin e lartë që kërkonte aparatura laboratorike.

Gjatë operacionit të bastisjes, forcat e sigurisë arritën të sekuestronin një sasi prej 27 kilogramësh kanabis në formë sythash, gati për tregtim, si dhe 670 bimë në fazë të avancuar rritjeje. Hetuesit spanjollë u habitën nga niveli i lartë teknologjik me të cilin ishin pajisur këto shtëpi bari, ku ishin instaluar sisteme të avancuara të filtrimit të ajrit për të parandaluar përhapjen e aromave dhe për të vështirësuar zbulimin nga Policia. Gjithashtu, u zbulua se anëtarët e grupit kishin ndarje të qarta të roleve, ku disa kujdeseshin për mirëmbajtjen e bimëve, ndërsa të tjerë siguronin dokumente dhe identitete të rreme për të marrë me qira pronat.

Nga verifikimet e mëtejshme të kryera në sistemin e sigurisë pas arrestimeve, rezultoi se njëri prej të prangosurve kishte një masë aktive për ndalimin e hyrjes në të gjithë territorin e zonës Shengen, të lëshuar më herët nga autoritetet franceze. Operacioni i suksesshëm u realizua nga agjentët e Gandías në bashkëpunim të ngushtë me njësi të tjera të Komandës së Valencias, ndërsa materialet procedurale i kanë kaluar prokurorisë spanjolle për veprime të mëtejshme penale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit