Transmetuar më 17-06-2026, 08:15

SHKUP – Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendosjen e sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar “One Stop Shop” me Shqipërinë, një hap që synon lehtësimin dhe përshpejtimin e lëvizjes së qytetarëve mes dy vendeve.

Me këtë vendim, Maqedonia e Veriut përmbyll procesin e zbatimit të këtij modeli me të gjitha vendet fqinje që nuk janë pjesë e zonës Shengen, pasi sistemi tashmë funksionon edhe me Serbinë dhe Kosovën. Për hyrjen në fuqi të plotë të marrëveshjes mbetet vetëm nënshkrimi zyrtar mes ministrive të Brendshme të dy vendeve.

Sipas planit, faza e parë e zbatimit do të nisë në pikën kufitare të Qafë Thanës, ndërsa më pas sistemi pritet të shtrihet edhe në pika të tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Zëdhënësja e qeverisë maqedonase, Venera Azizi, deklaroi se “One Stop Shop” do të mundësojë procedura më të shpejta, më të thjeshta dhe më të sigurta për udhëtarët, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur fluksi në kufi rritet ndjeshëm.

Ajo theksoi se vetëm gjatë vitit 2025, në pikat kufitare me Shqipërinë janë regjistruar mbi 4.5 milionë udhëtarë, ndërsa më shumë se 2.3 milionë prej tyre kanë kaluar përmes Qafë Thanës. Sipas autoriteteve, sistemi i ri pritet të ulë ndjeshëm kohën e pritjes dhe të rrisë efikasitetin e qarkullimit kufitar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit