Transmetuar më 17-06-2026, 07:24

KANSAS, SHBA – Argjentina, kampione e botës në fuqi, e nisi me fitore të thellë Kupën e Botës 2026, duke mposhtur 3-0 Algjerinë në ndeshjen e Grupit J. Protagonist absolut i sfidës ishte Lionel Messi, i cili realizoi të tre golat e takimit.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ku Argjentina krijoi raste të menjëhershme. Një gol i Messit u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje, ndërsa edhe Algjeria iu afrua avantazhit me një gol të anuluar në minutat e para.

Zhbllokimi erdhi në minutën e 17-të, kur Messi përfitoi nga një asist i Rodrigo de Paul dhe me një goditje të fuqishme nga jashtë zone kaloi Argjentinën në avantazh.

Në pjesën e dytë, kampionët në fuqi kontrolluan lojën, ndërsa Algjeria krijoi disa kundërsulme të rrezikshme. Messi realizoi golin e dytë në minutën e 60-të pas një goditjeje nga distanca, ndërsa kompletoi tripletën në minutën e 76-të pas asistit të Gonzales.

Me këtë paraqitje, Messi konfirmoi edhe një herë statusin e tij si një nga figurat më të mëdha të historisë së Kupës së Botës. Ai ka tani 16 gola në turne finale, duke barazuar rekordin e Miroslav Klose dhe duke hyrë në garë për vendin e parë në historinë e kompeticionit.

Në këtë ndeshje, Messi regjistroi gjithashtu paraqitjen e tij të gjashtë në një Kupë Bote, një rekord unik në futbollin botëror. Ai numëron 27 ndeshje në Botërorë dhe 8 asiste përveç golave të shënuar.

Argjentina merr kryesimin e Grupit J me 3 pikë, ndërsa Algjeria mbetet pa pikë. Në ndeshjen tjetër të grupit përballen Austria dhe Jordania.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit