

Në një seancë në Parlamentin Europian, eurodeputeti gjerman Sebastian Everding ka shprehur mbështetje për protestat në mbrojtje të Laguna e Nartës, duke theksuar rëndësinë e transparencës, shtetit ligjor dhe mbrojtjes së mjedisit në Shqipëri.
Everding deklaroi se mijëra qytetarë shqiptarë po reagojnë për të mbrojtur një nga zonat më të rëndësishme ligatinore në Mesdhe, habitat i specieve të rralla, përfshirë flamingot. Ai tha se kjo lëvizje qytetare nuk është vetëm mjedisore, por lidhet edhe me kërkesën për llogaridhënie institucionale dhe kundër ndikimit të interesave të ngushta ekonomike në vendimmarrje.
Sipas tij, degradimi i mjedisit dhe tolerimi i korrupsionit rrezikojnë jo vetëm natyrën, por edhe besimin në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Everding përdori edhe shprehjen “Shqipëria nuk është në shitje”, duke iu referuar protestave që po zhvillohen për mbrojtjen e zonës së Nartës.
Ai theksoi se Bashkimi Europian përfaqëson shtetin e së drejtës dhe se qytetarët shqiptarë meritojnë një të ardhme të bazuar në demokraci, liri dhe mbrojtje të pasurive natyrore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






