Transmetuar më 16-06-2026, 21:58

Protesta qytetare ka hyrë në një etapë të re dhe tashmë ka marrë një karakter të qartë politik. Kështu u shpreh studentja Laura Kërtalli, e cila deklaroi se pakënaqësia e shprehur në rrugë duhet të shndërrohet në një lëvizje të organizuar politike me bazë kombëtariste dhe nacionaliste.

E ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Laura Kërtalli tha se protesta ka kaluar nga faza fillestare e kundërshtimit të projektit në Zvërnec në një fazë të dytë, ku kërkesat kanë tashmë natyrë politike.

Sipas saj, organizatorët dhe mbështetësit e protestës janë të gatshëm të bëhen pjesë e një force të re politike, e cila do të synojë të përfaqësojë pakënaqësinë e qytetarëve.

“Ne e pranojmë me kënaqësinë më të madhe ftesën për t’u bërë pjesë e një lëvizjeje politike të re. Protesta tashmë është shndërruar në politike. Ka pasur dy faza, Zvërnecin dhe fazën e dytë që ka një sërë kërkesash me karakter politik”, deklaroi Kërtalli.

Ajo theksoi se çdo lëvizje e re politike ka nevojë për një element unifikues që të bashkojë qytetarët rreth një ideje të përbashkët.

“Ky element duhet të jetë ajo që na bashkon të gjithëve, kombësia ose ndjenja nacionaliste. Vetëm kështu kjo pakënaqësi mund të kthehet në një lëvizje politike të organizuar”, u shpreh studentja.

Deklarata e saj vjen në një moment kur protesta qytetare po zgjerohet përtej kauzës fillestare dhe po artikulon kërkesa më të gjera ndaj klasës politike dhe institucioneve të vendit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit