

ANTWERP – Pas shtatë vitesh në arrati, autoritetet belge kanë arrestuar në qytetin Antwerp shtetasin shqiptar Gerd Gjinarari, i njohur me nofkën “Gjenerali”, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit në Itali.
Arrestimi është kryer të enjten pranë Parkut të Qytetit në Antwerp nga njësia FAST e Policisë Federale belge. Sipas mediave lokale, 52-vjeçari dyshohet se ka jetuar prej vitesh në qytet nën një identitet të rremë, duke iu shmangur autoriteteve që nga viti 2019.
Edhe pse nuk është i njohur gjerësisht në Belgjikë, në Shqipëri Gjinarari është përmendur në lidhje me një nga ngjarjet më të bujshme kriminale të viteve ’90, vrasjen e Naim Zyberit, një figurë e njohur e botës së krimit në Tiranë në atë periudhë.
Ngjarja e vitit 1997 lidhet me përplasjet mes grupeve kriminale shqiptare në Itali, ku Zyberi dhe rivali i tij Arben Grori u përfshinë në një shkëmbim zjarri në Torino. Më pas, Zyberi u plagos rëndë dhe u transportua në një spital në Milano, ku ndodhej nën mbrojtje policore.
Sipas dosjes hetimore, Grori dhe Gjinarari dyshohet se organizuan planin për eliminimin e tij, duke hyrë në spital të maskuar si familjarë dhe duke përdorur një armë të fshehur në një buqetë me lule. Viktima u qëllua në dhomën e spitalit, ndërsa autorët u larguan pa u zbuluar menjëherë.
Për këtë ngjarje, Gjinarari dhe Grori janë dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane në vitin 1999. Më pas, Gjinarari është transferuar në Shqipëri për të vuajtur dënimin, ndërsa në vitin 2019 u shpall sërish në kërkim ndërkombëtar pasi u zhduk pas një vendimi gjykate për lirim me kusht, i cili më vonë u rrëzua në apel.
Pas arrestimit në Belgjikë, ai është vendosur në paraburgim dhe pritet të përballet me procedurat e ekstradimit dhe ekzekutimin e vendimit penal.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






