

Prej 12 ditësh vijon të jetë i zhdukur 34-vjeçari Eglant Koçi, për të cilin nuk ka ende asnjë gjurmë. Hetimet e Policisë së Tiranës kanë çuar në dyshime se i riu mund të jetë eliminuar fizikisht nga miku i tij, 41-vjeçari Armand Shakaj, i shpallur në kërkim si autor i dyshuar i ngjarjes.
Sipas autoriteteve, Shakaj vijon të jetë në arrati dhe kërkimet për kapjen e tij janë shtrirë në të gjithë territorin e vendit, ku janë angazhuar struktura të specializuara të Policisë së Shtetit. Hetimet po zhvillohen me metoda speciale, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e 41-vjeçarit.
Autoritetet theksojnë se ndalimi i tij pritet të ndihmojë edhe në zbardhjen e plotë të fatit të Eglant Koçit, trupi i të cilit dyshohet se është fshehur në periferi të Tiranës. Pavarësisht kontrolleve të shumta në zona të ndryshme, përfshirë terrene të pyllëzuara dhe fshatra, deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë.
Burime policore bëjnë me dije se Armand Shakaj dyshohet se ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme pamjen e tij fizike për t’iu shmangur identifikimit, duke prerë flokët, hequr mjekrën dhe përdorur forma të ndryshme maskimi gjatë lëvizjeve të tij.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se ai mund të ketë kontakte me persona të tjerë që e ndihmojnë në fshehje, ndërsa raportohet se ka ndryshuar numrin e telefonit dhe aparatin celular për të shmangur gjurmimin përmes identifikimit të pajisjes.
Po ashtu, dyshohet se 41-vjeçari ka qenë i përfshirë në aktivitet të paligjshëm në fushën e call center-ave dhe se përdorte karta SIM me numra të huaj, të cilat mund të shërbenin për të shmangur gjurmimin nga autoritetet.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






