

Një fregatë luftarake ruse ka qëlluar me të shtëna paralajmëruese në drejtim të një jahti civil me flamur britanik në Kanalin e Lamanshit, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm nga autoritetet në Londër, të cilat kanë nisur hetimet për ngjarjen.
Sipas raportimeve, anëtarë të bordit të fregatës kanë lëshuar disa të shtëna paralajmëruese pasi jahti civil është afruar rreth 500 metra pranë anijes ushtarake.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar konfirmoi se është në dijeni të incidentit dhe po e shqyrton atë. “Po hetojmë raportimet për një incident në Kanalin e Lamanshit”, deklaroi një zëdhënës i ministrisë, sipas Sky News.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth 20 milje detare në jug të Ishullit Wight, jashtë ujërave territoriale britanike. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale, ndërsa autoritetet e konsiderojnë incidentin si të izoluar.
Ky zhvillim vjen në një periudhë tensionesh të shtuara mes Londrës dhe Moskës. Vetëm pak ditë më parë, forcat speciale britanike ndërhynë në Kanalin e Lamanshit, duke ndaluar dhe sekuestruar një cisternë nafte ruse të ashtuquajtur “flota hije”, e cila ndodhej nën sanksione ndërkombëtare.
Sipas autoriteteve britanike, operacioni synonte ndërprerjen e të ardhurave nga nafta ruse që përdoren për financimin e luftës në Ukrainë dhe përbën një nga ndërhyrjet e para të këtij lloji nga pala britanike.
Në një deklaratë të veçantë, Marina Mbretërore britanike njoftoi gjithashtu se dy anije të saj kanë ndjekur nga afër fregatën ruse “Admiral Grigorovich” gjatë lëvizjes së saj në Kanalin e Lamanshit, në perëndim të Brest-it, Francë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






