

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka vlerësuar ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit gjatë fjalës së saj në Parlamentin Europian, duke veçuar progresin e Shqipërisë.
Kos deklaroi se Shqipëria ka përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), një hap që, sipas saj, i hap rrugën vendit për të avancuar në procesin e mbylljes së kapitujve të negociatave me BE-në. Ajo theksoi megjithatë se mbetet ende punë e rëndësishme për t’u bërë në drejtim të reformave të kërkuara.
Sipas saj, aktualisht ekziston një “dritare mundësie” për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, ndërsa Komisioni Europian mbetet i gatshëm të ecë përpara me vendet e rajonit, në varësi të përmbushjes së angazhimeve të tyre reformuese dhe përafrimit me politikat e BE-së.
Kos nënvizoi se procesi i zgjerimit vijon të bazohet në parimin e meritës dhe progresit individual të çdo vendi kandidat, duke theksuar mbështetjen e institucioneve europiane për vendet që tregojnë rezultate të qëndrueshme, por edhe qartësinë në rastet kur konstatohet mungesë përparimi.
Duke iu referuar zhvillimeve në rajon, ajo përmendi edhe progresin e Malit të Zi, për të cilin Këshilli ka nisur përgatitjen e traktatit të anëtarësimit, si një zhvillim i parë i këtij lloji pas më shumë se një dekade e gjysmë.
Në përfundim, Kos u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të shfrytëzojnë “dritaren e hapur të mundësisë” për integrim, duke theksuar se Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian duhet të ecin paralelisht me reformat e ndërmarra nga vendet kandidate.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






