Transmetuar më 16-06-2026, 19:25

Për herë të parë është publikuar fotografia e Armando Pacanit, i konsideruar nga hetuesit si një nga figurat kyçe të një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikimit të kokainës. Emri i tij del në dosjen voluminoze të SPAK, që çoi në lëshimin e urdhër-arresteve për 10 persona të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash në shkallë të gjerë

Armando Pacani

Tiranë – Prokuroria e Posaçme ka zbuluar identitetin e Armando Pacanit, i cilësuar si “Fantazma e drogës”, një personazh pak i njohur për publikun, por që sipas hetimeve ka pasur rol drejtues në një organizatë kriminale që vepronte mes Amerikës Latine dhe Europës.

Sipas SPAK, grupi ka operuar gjatë viteve 2019-2021 dhe dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë drejt tregjeve europiane. Hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim me autoritete të huaja, kanë dokumentuar pesë episode të mëdha trafikimi, ku janë sekuestruar afro 9 tonë kokainë në Belgjikë, Holandë, Ekuador dhe Kolumbi.

Dosja shkon përtej trafikut të drogës. SPAK dyshon se fitimet e përfituara nga aktiviteti kriminal janë investuar në Shqipëri përmes kompanive, pasurive të paluajtshme dhe projekteve të ndërtimit.

Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 491 pasuri, përfshirë vila, apartamente, hotele, troje, automjete dhe 209 llogari bankare. Vlera e aseteve të bllokuara llogaritet rreth 150 milionë euro.

Mes personave për të cilët janë lëshuar urdhër-arreste figurojnë edhe emra të njohur për drejtësinë, si Eldi Dizdari (i njohur edhe si Denis Matoshi) dhe Dritan Gjika. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të trafikut të narkotikëve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit