

Kërkesat për azil të shtetasve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian kanë rënë në nivelin më të ulët të më shumë se një dekade, por kjo nuk do të thotë se ritmet e emigracionit janë ngadalësuar.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 janë regjistruar vetëm 1,045 aplikime për azil nga shtetas shqiptarë në vendet e BE-së, niveli më i ulët që nga viti 2013. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kërkesat kanë shënuar një rënie prej rreth 28%.
Franca, e cila për vite me radhë ka qenë destinacioni kryesor i azilkërkuesve shqiptarë, ka regjistruar vetëm 310 aplikime gjatë tre muajve të parë të vitit. Për krahasim, në vitin 2022, pas pandemisë, autoritetet franceze kishin përpunuar afro 1,500 kërkesa nga shtetas shqiptarë vetëm në të njëjtën periudhë.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se rënia e kërkesave për azil nuk pasqyron një ulje të emigracionit. Përkundrazi, shqiptarët po zgjedhin gjithnjë e më shumë rrugë të ligjshme për t’u larguar drejt vendeve europiane, kryesisht përmes lejeve të punës.
Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë periudhës 2022–2024 janë dhënë mesatarisht rreth 20 mijë leje pune në vit për shtetas shqiptarë, kryesisht në Itali, Greqi dhe Gjermani. Një dekadë më parë, ky numër luhatej mes 3 mijë dhe 4 mijë lejeve në vit.
Kjo do të thotë se emigrimi përmes punësimit është tashmë rreth katër herë më i lartë se emigrimi përmes kërkesave për azil. Një pjesë tjetër e largimeve realizohet përmes bashkimit familjar dhe formave të tjera të migracionit të rregullt.
Edhe të dhënat e INSTAT konfirmojnë se emigracioni mbetet në nivele të larta. Sipas statistikave zyrtare, Shqipëria humbet neto mesatarisht 28 deri në 30 mijë banorë në vit, pasi numri i largimeve vijon të jetë më i lartë se ai i rikthimeve.
Nga 1 janari 2021 deri më 1 janar 2026, mbi 166 mijë shqiptarë rezultojnë të kenë emigruar, duke thelluar më tej sfidat demografike të vendit, të lidhura me plakjen e popullsisë dhe tkurrjen e forcës së punës.
Në nivel europian, gjatë marsit 2026 u regjistruan 47,100 aplikime të para për azil, 19% më pak krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania mbeten vendet që përqendrojnë rreth 80% të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare në Bashkimin Europian.
Ndërkohë, vendet e BE-së dhanë 84,925 vendime pozitive për azil gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, me afganët, venezuelianët dhe sirianët që përbëjnë grupet kryesore të përfituesve të mbrojtjes ndërkombëtare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






