

Kreu i SPAK, Klodjan Braho, ka reaguar pas operacionit të fundit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme, në kuadër të të cilit u sekuestruan pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro, të dyshuara si të krijuara nga aktiviteti kriminal.
Përmes një deklarate të publikuar nga SPAK, Braho theksoi se institucioni do të vijojë goditjen e rrjeteve të krimit të organizuar të përfshira në trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pastrimin e parave dhe investimin e pasurive me origjinë kriminale.
Sipas tij, pasuritë e përfituara nga veprimtari të paligjshme përbëjnë një kërcënim serioz për ekonominë formale, pasi dëmtojnë konkurrencën e ndershme dhe vendosin në disavantazh bizneset që operojnë në përputhje me ligjin.
“Pasuritë me origjinë kriminale dëmtojnë ekonominë e ligjshme, konkurrencën e lirë dhe aktivitetin e sipërmarrjeve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të ndershme. Ato rrisin fuqinë ekonomike të grupeve kriminale dhe përdoren për të financuar aktivitete të tjera të paligjshme”, thuhet në reagimin e SPAK.
Braho nënvizoi se sekuestrimi dhe konfiskimi i këtyre pasurive është një nga instrumentet më efektive në luftën kundër krimit të organizuar, duke shtuar se ato duhet të kalojnë në favor të shtetit dhe të përdoren për qëllime në interes të publikut.
Në deklaratë, SPAK garanton se veprimet e tij synojnë vetëm pasuritë që burojnë nga aktiviteti kriminal ose që lidhen me të, ndërsa respektohen plotësisht të drejtat e pronësisë së individëve dhe subjekteve që kanë krijuar pasuritë e tyre në mënyrë të ligjshme.
Reagimi vjen pas operacionit të fundit kundër grupit të dyshuar të Salvador Aliut, i cili çoi në sekuestrimin e një numri të konsiderueshëm asetesh të dyshuara si produkt i veprimtarive kriminale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






