

Autoritetet italiane kanë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari terroriste dhe sulme ndaj infrastrukturës publike, në një operacion të zhvilluar në disa qytete të vendit.
Sipas mediave italiane, të arrestuarit vepronin kryesisht në Romë, ndërsa aktiviteti i tyre shtrihej edhe në Milano dhe Napoli. Hetimet kanë zbuluar lidhje të mundshme me veprime sabotuese që synonin objekte dhe shërbime publike.
Dy prej të ndaluarve akuzohen se rreth katër muaj më parë vendosën pajisje shpërthyese në linjën hekurudhore që lidh Romën me Firencen, një nga arteriet më të rëndësishme të transportit hekurudhor në Itali.
Sipas autoriteteve, dëmet e shkaktuara nga sulmi llogariten në rreth 455 mijë euro, ndërsa incidenti ngriti shqetësime serioze për sigurinë e infrastrukturës kritike të vendit.
Prokurorët italianë dyshojnë se sabotimi lidhej me organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Kortina 2026, si dhe me valën e protestave të grupeve anarkiste kundër regjimit të ashpër të burgimit të anarkistit italian Alfredo Cospito.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin e personave të përfshirë, motivet e veprimeve të tyre dhe lidhjet e mundshme me organizata apo grupe ekstremiste që operojnë brenda dhe jashtë Italisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






