Transmetuar më 16-06-2026, 16:27

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një nëne dhe djalit të saj, të dyshuar për përfshirje në një ngjarje të rëndë kriminale që ndodhi më 14 qershor në fshatin Kobaj të Prizrenit.

Sipas vendimit të Departamentit për Krime të Rënda, i dyshuari Sh.O. po hetohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, ndërsa ndaj A.O. (nënës) rëndon dyshimi për shtytje në kryerjen e kësaj vepre penale.

Referuar njoftimit të gjykatës, nga provat e siguruara deri në këtë fazë të hetimeve rezulton dyshimi i bazuar se Sh.O. dhe një i mitur, A.O., pas një konflikti të mëhershëm të nxitur nga mosmarrëveshje mes palëve, janë përfshirë fillimisht në një debat verbal dhe më pas në një përplasje fizike me viktimën A.O. dhe të dëmtuarin I.O.

Sipas hetimeve paraprake, të dyshuarit kanë përdorur mjete të mprehta, duke goditur viktimat. Si pasojë e plagëve të marra në zonën e gjoksit, A.O. humbi jetën në vendngjarje, ndërsa I.O. pësoi lëndime të rënda trupore, të rrezikshme për jetën, dhe u transportua për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Gjykata vlerësoi se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh fazën fillestare të hetimeve, rrezikun e mundshëm të arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarët apo provat, si dhe nevojën për zhvillimin normal të procedurës penale.

Po ashtu, në arsyetimin e saj, gjykata thekson se pesha e veprës penale, rrethanat e ngjarjes dhe mënyra e dyshuar e kryerjes së saj krijojnë dyshime se, në rast lirie, të pandehurit mund të përsërisin vepra të ngjashme penale.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit