Transmetuar më 16-06-2026, 13:24

Tiranë, 16 Qershor 2026 — Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar të pesë kërkesat e paraqitura nga mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në seancën e sotme gjyqësore.

Trupi gjykues vendosi të refuzojë kërkesën për transmetimin "live" të procesit në media, duke e konsideruar atë një kërkesë të përsëritur dhe duke sqaruar se statusi publik i seancës nuk nënkupton detyrimisht transmetim të drejtpërdrejtë. Po ashtu, u rrëzua edhe kërkesa për nxjerrjen e të pandehurit nga ambienti i ndarë me xham mbrojtës, me argumentin se kjo strukturë nuk cenon të drejtat procedurale të tij dhe i shërben mbarëvajtjes e sigurisë së procesit.

Gjykata nuk pranoi as kërkesën për rritjen e shpeshtësisë së seancave në më shumë se një herë në javë, si dhe kërkesat që lidheshin me shqyrtimin e provave digjitale, për të cilat u saktësua se ka një vendimmarrje të mëparshme.

Në të njëjtën kohë, trupi gjykues njoftoi se janë pezulluar afatet e paraburgimit për Erion Veliajn. Për shkak të një kërkese të paraqitur nga mbrojtja e të pandehurës tjetër në këtë proces, Ajola Xoxa, gjykata vendosi ta shtyjë seancën e radhës për datën 23 qershor 2026, në orën 10:00.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit