

SPAK çon në gjyq 10 të pandehur për trafik ndërkombëtar droge, mes tyre drejtues dhe financues të grupit kriminal
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 10 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Çështja është dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, në kuadër të procedimit penal nr. 177 të vitit 2023.
Të pandehurit janë Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani Meçja, i njohur edhe me alias Ilir, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata.
Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për pjesëmarrje ose drejtim të grupit të strukturuar kriminal. Një pjesë e tyre akuzohet edhe për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Nga hetimet ka rezultuar se grupi ka trafikuar sasi të mëdha droge nga vendet e Amerikës Latine drejt porteve kryesore të Bashkimit Europian, si dhe nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Gjermanisë.
Sipas SPAK, gjatë episodeve të hetuara për vitet 2020 dhe 2021, është dokumentuar trafikimi i një sasie totale prej 4,340.2 kilogramësh lëndësh narkotike. Nga kjo sasi, 3,635 kilogramë dyshohet të kenë qenë kokainë, 2 kilogramë heroinë dhe 701 kilogramë kanabis sativa.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se disa prej të pandehurve kanë ndihmuar kalimin e paligjshëm të 55 shtetasve sirianë nga Shqipëria drejt Italisë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, komunikimet mes të pandehurve dhe bashkëpunëtorëve të tyre janë kryer edhe përmes platformës së enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë administruar nga autoritetet franceze në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike.
Në përfundim të hetimeve, SPAK ka konkluduar se Musa Gjikola, Jani Meçja, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha dhe Lorenzo Çadri kanë pasur rol drejtues dhe financues në aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve.
Ndërsa Sokol Masha, Akil Alushi, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata dyshohet se kanë pasur rol pjesëmarrës në këtë veprimtari. SPAK thotë gjithashtu se Sokol Masha dhe Akil Alushi kanë drejtuar aktivitetin e ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit të shtetasve sirianë.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në Brazil, Ekuador, Francë, Holandë, Itali dhe Serbi, si dhe me Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit, Eurojust dhe Europol.
Për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm, SPAK ka ndarë një pjesë të akteve të procedimit penal dhe ka regjistruar procedimin e ri nr. 177/2 të vitit 2026, për të cilin hetimet vijojnë.
E PLOTË/ SPAK dërgon për gjykim 10 të pandehur për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal nr. 177 të vitit 2023, në ngarkim të 10 të pandehurve:
Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani (alias Ilir) Meçja, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi, Arian Gjata, të akuzuar për veprat penale:
Musa Gjikola dhe Jani (alias Ilir) Meçja, për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Sokol Masha dhe Akil Alushi, për kryerjen e veprave penale:
“Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 298/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha dhe Lorenzo (alias Arbër) Çadri (alias Hysko, alias Isufi, alias Çela), për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1, dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Sokol Masha, për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, (njëri episod i konsumuar sipas nenit 283/a dhe tjetri mbetur në tentativë sipas nenit 283/a-22 të Kodit Penal), dhe më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2, (22) dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Akil Alushi, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata, për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Hetimet rreth këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet braziliane, ekuadoriane, franceze, holandeze, italiane dhe serbe, të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe me strukturat e hetimit me Policinë e Shtetit për ekzekutimin e masave të sigurimit personal.
Nga hetimet e kryera për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar e provuar se 10 të pandehurit: Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani (alias Ilir) Meçja, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi, Arian Gjata, në bashkëpunim me disa persona të dënuar nga autoritetet e huaja dhe me disa persona të paidentifikuar ende, kanë trafikuar sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike nga vendet e Amerikës Latine, nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian, si dhe kanë ndihmuar kalimin e paligjshëm të kufirit, nga Shqipëria për në Itali të 55 shtetasve sirianë.
Nga aktet e administruara ka rezultuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë koordinuar me njëri-tjetrin në kryerjen e aktiviteteve të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar, “SkyEcc”, të cilat janë administruar nga autoritetet e drejtësisë franceze, në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale.
Në përfundim të hetimeve është konkluduar se të pandehurit: Musa Gjikola, Jani (alias Ilir) Meçja, Selami Lushka, Klodjan Muça, Denis Harusha dhe Lorenzo (alias Arbër) Çadri (alias Hysko, alias Isufi, alias Çela), kanë pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në veprimtarinë e paligjshme kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve, ndërsa të pandehurit, Sokol Masha, Akil Alushi, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata, kanë pasur rolin e pjesëmarrësve në këtë veprimtari të paligjshme.
Gjithashtu, ka rezultuar e provuar se të pandehurit, Sokol Masha dhe Akil Alushi, kanë drejtuar në dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit të shtetasve sirianë.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në 8 episode që i përkasin viteve 2020 dhe 2021 (sipas akuzave që iu janë atribuuar respektivisht të pandehurve), rezulton e provuar se kanë trafikuar nga vendet e Amerikës Latine (Brazili, Ekuador) në drejtim të porteve kryesore të disa vendeve të Bashkimit Europian (Italisë, Holandës), apo nga Shqipëria për në drejtim të Greqisë dhe Gjermanisë, një sasi prej 4,340.2 kg lëndësh narkotike:
3635 kg lëndë narkotike e llojit kokainë
2 kg lëndë narkotike e llojit heroinë
701 kg bimë narkotike e llojit kanabis sattiva
Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto episode të trafikimit të lëndëve narkotike, kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr. 177 të vitit 2023, numërtimin si procedimi penal me nr. 177/2 i vitit 2026, si dhe po vijojnë hetimet rreth këtij procedimi.
SPAK falenderon autoritetet e drejtësisë braziliane, ekuadoriane, franceze, holandeze, italiane, serbe, Eurojust dhe Europol, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK në këtë procedim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






