Transmetuar më 16-06-2026, 12:27

Tiranë, 16 Qershor 2026 — Qytetarët dhe bizneset shqiptare kanë kursyer rreth 84 milionë euro që nga nisja e procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në muajin shkurt të këtij viti. Shifra është bërë publike nga administrata tatimore, e cila nënvizon se ky kursim ka ardhur si pasojë e aplikimit të shkallës së reduktuar tatimore prej 5%, nga 15% që është norma e zakonshme për transaksionet e pronave.

Sipas legjislacionit në fuqi, nga ky proces përfitojnë si individët që synojnë të shesin një pasuri të paluajtshme, ashtu edhe ata që e kanë pasur pronën të regjistruar me një vlerë më të ulët se ajo e tregut.

Përllogaritja e detyrimit të ri fiskal bëhet mbi diferencën mes vlerës së mëparshme të regjistruar dhe vlerës së re të tregut ose të shitjes, duke aplikuar tarifën e favorshme prej 5%. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka kujtuar se afati ligjor për të përfituar nga kjo mundësi përfundon më 31 Dhjetor 2026.

Shembull rivlerësimi:

Nëse keni një banesë e cila aktualisht e ka vlerën zyrtarisht 12 milionë lekë dhe me rivlerësimin ka shkuar 20 milionë lekë, gjatë këtij viti mund ta rivlerësoni duke paguar 400 mijë lekë ose 5 për qind. Në rast shitjeje pas 2026, rivlerësimi çmohet me 15 për qind dhe kushton 1.2 milionë lekë.

Çfarë sjell ndryshe rivlerësimi 2026?

Afate të detajuara: Aplikimet për rivlerësim do të pranohen nga data 22 janar 2026 deri më 31 dhjetor 2026. Kërkesat e paraqitura brenda kësaj periudhe, për të cilat është kryer pagesa e tatimit por nuk janë përpunuar ende nga ASHK, do të mund të finalizohen administrativisht deri më 31 mars 2027.

Tatimi unik 5%: Çdo pronar apo biznes që zgjedh të përditësojë vlerën e pasurisë së paluajtshme sipas tregut, do të përfitojë nga norma e reduktuar tatimore, vetëm 5% mbi diferencën mes vlerës së re dhe asaj të regjistruar. Kjo normë zëvendëson normat më të larta të viteve të kaluara (15%) dhe programet e mëparshme të përkohshme (3%).

Të dhënat zyrtare të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), të vëna në dispozicion për periudhën nga 2 shkurt deri më 27 prill 2026, tregojnë se në total kanë aplikuar 9,532 qytetarë. Megjithatë, deri më tani, taksa e reduktuar është likuiduar nga vetëm 22% e aplikuesve, ose 2,114 prej tyre, duke arkëtuar në buxhetin e shtetit një vlerë prej 1.59 miliardë lekësh. Pjesa tjetër e aplikimeve, rreth 53% ose 5,053 raste, rezultojnë të përllogaritura nga ASHK por ende të papaguara nga qytetarët, ndërsa 25% e totalit (2,365 aplikime) janë refuzuar.

Sa i përket shtrirjes gjeografike, interesi më i lartë për rivlerësimin e pronave mbetet i përqendruar në zonat bregdetare dhe në qendrat e mëdha urbane. Kryeqyteti udhëheq me 42% të totalit të aplikimeve në shkallë vendi. Pas Tiranës, numrin më të madh të kërkesave e mban rajoni Durrës, Kavajë dhe Krujë me 18%, i ndjekur nga Vlora me 6%, Lezha me 4.5%, si dhe Saranda e Fieri me nga 4% secili.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit