Transmetuar më 16-06-2026, 10:53

Tiranë, 16 Qershor 2026 — Ka nisur sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) seanca e parë e gjyqit në themel për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe për të pandehurit e tjerë të përfshirë në dosje, të cilët kanë kërkuar gjykim me proces normal.

Kryebashkiaku Veliaj nuk ka marrë pjesë fizikisht në këtë seancë fillestare, duke deleguar mbrojtjen e tij ligjore. Përmes një deklarate zyrtare drejtuar Trupës Gjykuese, Veliaj ka sqaruar arsyet e mungesës së tij, duke akuzuar organin e akuzës për mospërmbushje të detyrimeve procedurale.

Në qëndrimin e tij, Veliaj ka deklaruar se nuk do të jetë i pranishëm pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk ka zbatuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës për të dorëzuar fashikujt e munguar dhe provat digjitale, çka sipas tij do t’i mundësonte pjesëmarrjen si njeri i lirë në sallën e gjyqit. Për këtë arsye, ai ka kërkuar zyrtarisht të përfaqësohet në këtë proces nga avokati i tij mbrojtës, Plarent Ndreca.

Nga ana tjetër, prokurori i çështjes, Ols Dado, ka kundërshtuar pretendimet e palës mbrojtëse dhe ka kërkuar vijimin normal të procesit. Gjatë fjalës së tij në sallë, prokurori Dado ka deklaruar se Gjykata ia ka vënë tashmë në dispozicion të gjitha aktet mbrojtjes dhe se nuk sheh asnjë arsye ligjore se pse ky gjykim duhet të shtyhet. Procesi pritet të vijojë me shqyrtimin e kërkesave paraprake të palëve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit