Transmetuar më 16-06-2026, 10:44

Tiranë, 16 Qershor 2026 — Kryeministri Edi Rama ka reaguar zyrtarisht pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale nga ish-oficeri i Antidrogës, Dritan Zagani, e cila shfaqte kreun e qeverisë në Zvicër. Postimi i Zaganit pretendonte se Kryeministri ndodhej jashtë vendit me shpenzimet e shtetit në një kohë kur në Tiranë zhvilloheshin protesta qytetare.

Përmes një reagimi të gjatë në rrjetin social X, Rama hodhi poshtë akuzat, duke sqaruar se vizita në Bazel të Zvicrës ishte tërësisht private dhe me shpenzime vetjake. Ai specifikoi se ishte i ftuar nga "ArtBasel", panairi i përvitshëm i galerive më prestigjoze të artit në botë, ku janë prezantuar edhe vepra të tij. Kryeministri shtoi se gjatë qëndrimit një ditë e gjysmë atje ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, plotësisht me shpenzime private.

Në reagimin e tij, Rama theksoi se gjatë tre dekadave në shërbim publik dhe 13 viteve në detyrën e Kryeministrit, as ai dhe as familja e tij nuk kanë udhëtuar për qëllime private me fondet e shtetit dhe nuk kanë kryer asnjëherë pushime jashtë vendit.

Kreu i qeverisë përsëriti një deklaratë të fortë të bërë dy dekada më parë, duke nënvizuar se integriteti i tij financiar mbetet i paprekshëm dhe se nuk ekziston asnjë qindarkë e paligjshme në xhepat e tij. Në mbyllje të mesazhit të tij, Rama kritikon rolin e rrjeteve sociale në përhapjen e shpifjeve pa prova, duke e cilësuar fenomenin e lajmeve të rreme si një goditje ndaj të vërtetës.

Deklarata e plotë:

Qenka shpërndarë një video ku dikush më paska kapur mat duke pirë ujë në Basel të Zvicrës me shpenzimet e shtetit..

Në thuajse tre dekada shërbim publik unë kurrë nuk kam udhëtuar privatisht me lekët e shtetit dhe e njëjta gjë vlen edhe për familjen time.

Në 13 vjet në detyrën e kryeministrit unë dhe familja ime kurrë nuk kemi shkuar me pushime jashtë shtetit.

Në Zvicër isha i ftuar privatisht nga ArtBasel, panairi i përvitshëm i galerive më prestigjoze të artit në botë, ku janë prezantuar edhe vepra të miat. Kemi udhëtuar dhe qëndruar një ditë e gjysëm me bashkëshorten, si gjithnjë në këto raste plotësisht me shpenzimet tona.

Por ky është një rast i mirë në kohën e duhur, për të vënë një pikë të qartë mbi “i”:

Rreth njëzet vite më parë, kur nuk më ishte regjur ende lëkura me baltën e shpifjeve e të akuzave pa hesap, pata vënë kujën publikisht duke thënë që “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”!

Sot, dy dekada më vonë, nuk jam më natyrisht ai 40 vjeçari i pamësuar ende me qenërinë e arenës plot baltë të jetës politike, i cili humbte gjumin nga plagët përvëluese të shpifjeve dhe akuzave kriminale.

Por e them me krenari, se ajo fjali e lëshuar asokohe nga dhimbja e nga ndjenja e turpit përpara njerëzve të mi dhe të gjithë atyre që më kishin besuar drejtimin e Tiranës, qëndron 100% e paprekshme në përmbajtjen e saj edhe sot, përballë të gjithë atyre që më kanë besuar drejtimin e Shqipërisë.

Dhe mos e harroni asnjëherë:

Kush shpif apo akuzon pa prova kundër jush, ose e ka bërë vetë atë për të cilën ju akuzon ose do ta bënte po të ishte në vendin tuaj, prandaj edhe xhelozia apo urrejtja ose të dyja bashkë e bëjnë t’i besojë çdo maskarallëku që nxjerr nga goja.

Kur shoh se si bota ku jetojmë është bërë gjithnjë e më shumë falë rrjeteve sociale, lëndina ku ferrat e pafundme të rrenës shumohen me shpejtësinë e klikimit, ndërsa lulet e së vërtetës mbyten rëndom nga ferrat, më shkon gjithnjë mendja tek Librat e Shenjtë, ku shpifësi shfaqet edhe më i keq se vrasësi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit