

Mirditë, 16 Qershor 2026 — Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet rreth ekzekutimit të 45-vjeçarit Valter Lleshi, ngjarje e ndodhur mëngjesin e së hënës në aksin rrugor Reps–Spaç, në fshatin Shkorret të Mirditës.
Grupi hetimor ka rindërtuar lëvizjet e viktimës para atentatit, duke ngritur dyshime të forta se ai po ndiqej nga autorët që nga momenti i largimit nga banesa.
Sipas verifikimeve, Lleshi ka dalë nga shtëpia e tij në Rrëshen rreth orës 06:00, i shoqëruar nga një koleg pune, me të cilin udhëtonte drejt kompanisë së bazaltit në Reps, ku ishte i punësuar.
Rreth dy kilometra përpara vendit të ngjarjes, kolegu ka zbritur në një lokal, ndërsa 45-vjeçari ka vijuar rrugën i vetëm me mjetin e tonazhit të lehtë tip "Toyota", që rezulton në pronësi të firmës ku punonte.
Atentati ka ndodhur pak minuta më vonë, kur drejt makinës është qëlluar me breshëri automatiku. Në vendngjarje ekspertët ligjorë kanë administruar 18 gëzhoja. Trupi i pajetë i viktimës është zbuluar brenda në automjet nga një tjetër punëtor i zonës, i cili ka njoftuar menjëherë strukturat e Policisë së Shtetit. Në vendin ku u krye krimi nuk ka kamera sigurie, çka ka detyruar policinë të sekuestrojë dhe të verifikojë pamjet e kamerave të bizneseve përgjatë gjithë segmentit rrugor Reps-Spaç.
Hetimet aktualisht janë përqendruar në pistën e hakmarrjes, për shkak të konflikteve të vjetra në zonë. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se viktima njihej për lidhjet e tij miqësore me fisin Reçi.
Po ashtu, po verifikohet një dyshim i hershëm mbi një përfshirje të mundshme të Lleshit në vrasjen e shtetasit Anton Keli, ngjarje e ndodhur më 16 dhjetor 2020 në Rrëshen, ndonëse policia saktëson se 45-vjeçari nuk ka qenë asnjëherë i proceduar apo i skeduar zyrtarisht për atë krim.
Ky nuk ishte incidenti i parë që lidhej me vendin e punës së viktimës. Në muajin mars të këtij viti, një makinerie të tonazhit të rëndë që drejtohej nga Lleshi në ambientet e kompanisë në Spaç, iu vendos një sasi lënde shpërthyese tritol, e cila në atë kohë nuk arriti të aktivizohej. Policia po vijon punën për identifikimin e autorëve dhe mbledhjen e provave të tjera materiale në terren.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






