Transmetuar më 16-06-2026, 07:37

16 Qershor 2026

Debutimi i Spanjës në Kupën e Botës 2026 ka shkaktuar një valë kritikash në mediat vendase, pasi kampionët në fuqi të Evropës nuk arritën të shkonin më shumë se një barazim pa gola ndaj Kepit të Gjelbër në ndeshjen e parë të Grupit H.

Rezultati 0-0 është cilësuar si një nga surprizat më të mëdha të fazës së grupeve deri tani, ndërsa shtypi spanjoll nuk kurseu kritikat ndaj skuadrës së drejtuar nga trajneri Luis de la Fuente.

Gazeta El Mundo e cilësoi paraqitjen e “La Roja”-s si një “debutim katastrofik”, duke theksuar mungesën e ideve dhe efektivitetit në lojën e skuadrës. Edhe e përditshmja sportive AS e përshkroi rezultatin si një “fiasko të tmerrshme”, ndërsa Marca shkroi për një “nisje katastrofike” të një ekipi “të panjohur, pa ide dhe pa burime”.

Kritikave iu bashkua edhe El País, i cili përdori metaforën “Kepi i Gjelbër i shpërtheu flluskën Spanjës”, duke nënvizuar se pritshmëritë e larta për favoritët evropianë u përplasën me realitetin e fushës.

As debutimi në Kupën e Botës i talentit të ri Lamine Yamal nuk arriti të ndryshojë perceptimin e mediave. Sipas analizave, Spanja u shfaq e ngadaltë dhe pa frymëzim, duke krijuar pak raste të rrezikshme përballë një kundërshtari që mbrojti me disiplinë dhe organizim.

Edhe Mundo Deportivo e cilësoi paraqitjen si “zhgënjyese”, duke e përshkruar skuadrën si një grup që nuk arriti të përmbushte pritshmëritë e mëdha të tifozëve dhe specialistëve.

Barazimi ka nxitur menjëherë krahasime me paraqitjet e rivalëve kryesorë. Në veçanti, mediat spanjolle kanë vënë në dukje fitoren bindëse 7-1 të Gjermania ndaj Kuraçao, si dhe deklaratat e trajnerit francez Didier Deschamps, i cili pak ditë më parë e kishte konsideruar Spanjën si një nga favoritët kryesorë për triumfin në Botëror.

Tashmë presioni mbi kombëtaren spanjolle është rritur ndjeshëm, ndërsa ndeshjet e ardhshme të grupit pritet të jenë vendimtare për fatin e saj në turne.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit