Transmetuar më 16-06-2026, 07:34

16 Qershor 2026

Shporta e konsumit ka pësuar lëvizje të ndjeshme gjatë muajit prill, me rritje të forta të çmimeve për produktet e freskëta dhe karburantet, ndërsa disa artikuj bazë ushqimorë kanë shënuar ulje. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se faktorë si kushtet klimatike, luhatjet në prodhim dhe import, si dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, kanë ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e konsumit.

Produkti që ka shënuar rritjen më të madhe është limoni, çmimi i të cilit është rritur me 41.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në prill 2026, limoni u tregtua mesatarisht me 212.4 lekë për kilogram, nga 150 lekë që ishte në prill 2025.

Pas tij renditet domatja, e cila u shtrenjtua me 20.1%, duke arritur në 210.4 lekë për kilogram. Rritja lidhet kryesisht me dëmet e shkaktuara nga ngricat dhe përmbytjet e pranverës, që kanë ndikuar në prodhimin vendas.

Në grupin e produkteve industriale, nafta regjistroi një rritje prej 18.6%, ose 32.2 lekë më shumë për litër krahasuar me një vit më parë. Çmimi mesatar i një litri naftë arriti në 205.7 lekë, ndërsa rritje me 17.3% shënuan edhe lëndët e tjera djegëse. Sipas analizave të tregut, kjo lëvizje është ndikuar nga tensionet dhe konflikti në Iran, që kanë reflektuar rritje të çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.

Ndërkohë, kafeja e bluar u shtrenjtua me 12%, duke arritur në 162.3 lekë për paketim 100-gramësh, ndërsa çmimi i verës u rrit me 11%.

Nga ana tjetër, disa produkte kanë regjistruar ulje të ndjeshme të çmimeve. Konservat kryesojnë listën me një rënie prej 18.8%, duke u tregtuar mesatarisht me 168.4 lekë. Sheqeri u ul me 19.6%, duke zbritur në 89.8 lekë për kilogram nga 111.7 lekë një vit më parë.

Patatja ka pësuar gjithashtu rënie të ndjeshme prej 18.9%, duke arritur në 83.5 lekë për kilogram. Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me mbiprodhimin në tregjet europiane. Në të njëjtën linjë, qepët e thata janë ulur me 13.5%, duke u tregtuar me 81.3 lekë për kilogram.

Ndërkohë, produktet bazë si buka, mielli dhe makaronat kanë mbetur relativisht të qëndrueshme, me luhatje minimale të çmimeve. Edhe sektori i bulmetit ka shfaqur stabilitet, ku qumështi ka regjistruar një rritje të lehtë prej 0.4%, ndërsa gjiza dhe kosi natyral kanë shënuar rritje më të moderuara.

Sipas të dhënave të INSTAT, produktet e mishit nuk kanë pësuar ndryshime të rëndësishme gjatë kësaj periudhe, duke ruajtur nivele të qëndrueshme çmimesh në treg.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit