

Prishtinë, 16 Qershor 2026 – Kosova ka shënuar një rritje të numrit të vdekjeve gjatë vitit 2025 krahasuar me vitin paraprak. Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë regjistruar gjithsej 12.119 vdekje brenda dhe jashtë vendit.
Nga numri i përgjithshëm, 10.351 vdekje kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës. Prej tyre, 5.507 ose 53,2 për qind ishin meshkuj, ndërsa 4.844 ose 46,8 për qind ishin femra.
Krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 10.137 vdekje brenda vendit, numri i vdekjeve në vitin 2025 është rritur me 214 raste.
Ndërkohë, jashtë Kosovës janë regjistruar 1.768 vdekje të shtetasve kosovarë, 95 raste më shumë se në vitin 2024, kur ishin raportuar 1.673 vdekje.
Sipas statistikave komunale, numri më i lartë i vdekjeve është regjistruar në Prishtina me 2.979 raste ose 24,6 për qind të totalit. Pas saj renditen Prizreni me 1.050 raste dhe Peja me 736 raste.
Raporti evidenton gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 198 foshnja të vdekura, që përbëjnë 1,9 për qind të totalit të vdekjeve. Nga këto raste, 109 ishin meshkuj dhe 89 femra.
Shumica e vdekjeve të foshnjave kanë ndodhur në ditët e para të jetës. Sipas të dhënave, 139 foshnja ose 70,2 për qind kanë humbur jetën deri në ditën e gjashtë pas lindjes. Ndërsa 41 raste ose 20,7 për qind janë regjistruar nga dita e shtatë deri në ditën e 27-të të jetës dhe 18 raste ose 9,1 për qind nga dita e 28-të deri në moshën njëvjeçare.
Të dhënat statistikore tregojnë se mosha mesatare e personave të vdekur gjatë vitit 2025 ishte 72 vjeç. Për meshkujt mosha mesatare e vdekjes rezulton 70 vjeç, ndërsa për femrat 74 vjeç, duke konfirmuar vazhdimësinë e jetëgjatësisë më të lartë të grave krahasuar me burrat në Kosovë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






