Transmetuar më 15-06-2026, 23:00

ATHINË – Autoritetet greke kanë goditur një organizatë kriminale të përfshirë në vjedhjen dhe falsifikimin e automjeteve, gjatë një operacioni të zhvilluar në zonën e Spatës – Artemis në Athinë. Në total janë arrestuar 13 persona, mes tyre 11 shtetas shqiptarë dhe 2 grekë.

Sipas policisë greke, grupi kriminal dyshohet se vepronte prej marsit të vitit 2023, duke vjedhur automjete në zona të ndryshme të Athinës dhe më pas duke falsifikuar të dhënat e identifikimit të tyre, përfshirë numrat e shasisë, me qëllim shitjen në tregun e zi si automjete të ligjshme.

Hetimet tregojnë se anëtarët e grupit jo vetëm që vidhnin automjetet, por edhe manipulonin elementet identifikuese të tyre, duke i “legalizuar” përmes falsifikimeve, si dhe në disa raste raportonin vjedhje të rreme për të përfituar kompensime sigurimi.

Gjatë operacionit policor dhe kontrolleve të kryera në banesat e të arrestuarve, janë sekuestruar mjete të ndryshme, përfshirë pajisje për kopjimin e çelësave të automjeteve, pajisje diagnostikuese ECU, mjete për hapjen e bravave, sisteme gjeolokacioni, telefona celularë, kompjuterë, si dhe armë të ftohta dhe imituese, përfshirë edhe pistoleta imituese.

Në total, autoritetet kanë identifikuar dhe sekuestruar 36 automjete, nga të cilat 19 janë konstatuar si të vjedhura dhe me dokumentacion të falsifikuar, dhe janë kthyer te pronarët e ligjshëm.

Sipas vlerësimeve paraprake, përfitimi financiar i kësaj organizate kriminale arrin në rreth 1 milion euro.

Të arrestuarit janë vënë në dispozicion të prokurorisë kompetente në Greqi, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit