

TIRANË – Ka nisur protesta e 16-të radhazi e qytetarëve në kryeqytet, e cila vijon me marshim në rrugët e Tiranës dhe është shoqëruar edhe me përdorimin e fishekzjarrëve.
Fillimisht e nisur si një reagim kundër projektit në Zvërnec, protesta tashmë është zgjeruar me kërkesa politike, ku protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e liderit të opozitës parlamentare, Sali Berisha.
Qytetarët janë nisur nga sheshi “Skënderbej” dhe kanë marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke valëvitur flamuj kuqezi dhe duke thirrur slogane kundër qeverisë dhe figurave politike. Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje të ndryshme politike, ndërsa në një podium të improvizuar përpara godinës së Këshillit të Ministrave janë mbajtur edhe fjalime nga organizatorët.
Në protestë janë vënë re edhe flamuj të Bashkimit Europian, si dhe një banderolë me mbishkrimin “Europe, can you hear us?”, e cila është shfaqur si pjesë e mesazheve të protestuesve drejtuar institucioneve ndërkombëtare.
Ndërkohë, marshimi i qytetarëve ka vijuar edhe në rrugët e kryeqytetit, duke u zhvilluar brenda Unazës së Tiranës, ndryshe nga ditët e mëparshme.
Policia vijon të monitorojë situatën për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit dhe rendin publik.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






