

TIRANË, 15 qershor 2026 – Monedha europiane ka vijuar rënien edhe në fillim të kësaj jave, duke shënuar një minimum të ri historik në tregun valutor shqiptar.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 94.89 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë në vend.
Të dhënat tregojnë se kursi euro-lekë ka rënë me rreth 1.9% që nga fillimi i vitit 2026, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, zhvlerësimi i monedhës europiane ka arritur në 3.2%.
Ekspertët e tregut valutor e lidhin këtë tendencë me rritjen e ofertës së valutës, e nxitur nga nisja e sezonit turistik dhe hyrja e shtuar e të ardhurave nga vizitorët e huaj. Presioni mbi euron është forcuar gjithashtu nga flukset valutore që lidhen me investimet në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, investimet në pasuri të paluajtshme përbënin 43% të investimeve të huaja direkte gjatë tremujorit të parë të vitit, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Në të njëjtën periudhë, investimet e huaja direkte arritën në 404 milionë euro, duke shënuar rekord historik dhe një rritje prej 11.6% krahasuar me një vit më parë.
Vetëm investimet në sektorin e pasurive të paluajtshme vlerësohen në rreth 174 milionë euro gjatë tre muajve të parë të vitit, duke reflektuar interesin në rritje të investitorëve për këtë treg.
Ndërkohë, autoritetet financiare vijojnë të monitorojnë zhvillimet në tregun valutor. Burime nga tregu bëjnë me dije se Banka e Shqipërisë ka vazhduar ndërhyrjet përmes blerjes së valutës me qëllim zbutjen e forcimit të lekut, megjithatë efektet e këtyre ndërhyrjeve nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndalur trendin e mbiçmimit të monedhës vendase.
Situata paraqet sfida të ndryshme për ekonominë. Nga njëra anë, një lek më i fortë ndihmon në frenimin e presioneve inflacioniste, ndërsa nga ana tjetër rrit vështirësitë për sektorët eksportues, të cilët përballen me ulje të konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare.
Me inflacionin që ka arritur objektivin prej 3%, hapësirat për ndërhyrje të mëtejshme në tregun valutor mbeten të kufizuara, pasi injektimi i mëtejshëm i lekut në ekonomi mund të ushqejë presione të reja inflacioniste. Në këtë kontekst, ecuria e kursit të këmbimit pritet të mbetet një nga treguesit më të ndjekur të ekonomisë shqiptare gjatë muajve në vijim.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






