

TIRANË, 15 qershor 2026 – Mbi 6,500 vende të lira pune janë aktualisht të disponueshme në të gjithë vendin përmes portalit të punësimit të Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, duke ofruar mundësi për kandidatë me nivele të ndryshme arsimimi dhe kualifikimi.
Sipas të dhënave të AKPA-së, pozicionet e shpallura mbulojnë një gamë të gjerë sektorësh, duke filluar nga profesionet që kërkojnë arsim profesional dhe të mesëm, deri te ato që kërkojnë diplomë universitare dhe aftësi të specializuara.
Ndër profesionet më të kërkuara aktualisht janë ekonomistët, menaxherët, specialistët e komunikimit, inxhinierët mekanikë, zhvilluesit e programeve kompjuterike, inxhinierët civilë, specialistët e financës, drejtuesit në sektorin e tregtisë dhe inxhinierët e elektroteknologjisë.
Këto profile profesionale lidhen kryesisht me sektorë që po përjetojnë rritje të aktivitetit dhe kanë nevojë për staf të kualifikuar për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të biznesit dhe investimeve.
Ndërkohë, kërkesa mbetet e lartë edhe për profesione praktike dhe shërbime që nuk kërkojnë domosdoshmërisht arsim të lartë. Punëdhënësit vijojnë të kërkojnë punonjës pastrimi, punëtorë ndërtimi, ndihmës-kuzhinierë, rrobaqepës, sistemues mallrash, prodhues këpucësh, kamarierë, shitës, shoferë të mjeteve të rënda, kuzhinierë dhe banakierë.
Autoritetet e punësimit theksojnë se mundësitë janë të hapura si për personat që kërkojnë të hyjnë në tregun e punës, ashtu edhe për ata që synojnë të ndryshojnë profesion ose të ndërtojnë një karrierë të re.
Aplikimet për vendet e lira të punës mund të kryhen online përmes portalit zyrtar të punësimit, ndërsa qytetarët që kanë nevojë për asistencë mund t’u drejtohen zyrave vendore të punësimit ose strukturave të AKPA-së për mbështetje gjatë procesit të aplikimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






