

IGUMENICË, 15 qershor 2026 – Autoritetet greke kanë sekuestruar një tjetër sasi të konsiderueshme lënde narkotike pranë kufirit greko-shqiptar, në një operacion të zhvilluar mëngjesin e së hënës në zonën e Igumenicës.
Sipas policisë greke, oficerët e Departamentit të Narkotikëve pranë Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve ndaluan për kontroll një automjet të marrë me qira, i drejtuar nga një grua 61-vjeçare greke me origjinë nga zona e Moskatos në Athinë.
Gjatë kontrollit të automjetit, u zbuluan dhe u sekuestruan 90 pako me rreth 96 kilogramë e 74 gramë marijuanë, 5.21 gramë kokainë, një sasi e vogël hashashi të llojit “çokollatë”, 100 euro si dhe dy telefona celularë.
Hetimet paraprake dyshojnë se lënda narkotike ishte trafikuar nga zona e Sarandës, duke kaluar përmes fshatrave të Bashkisë Konispol drejt territorit grek.
Ky është rasti i dytë i sekuestrimit të një sasie të madhe droge në zonën e Igumenicës brenda tetë ditëve. Më herët, në Nea Selefkia, autoritetet greke sekuestruan rreth 110 kilogramë marijuanë dhe arrestuan një shtetas turk, ndërsa dyshohet se ngarkesa kishte hyrë nga zona e Ciflikut në Konispol.
Për të dy rastet, policia greke ka njoftuar autoritetet shqiptare, përfshirë Komisariatin e Policisë Kufitare në Sarandë. Në vijim të bashkëpunimit mes dy vendeve, policia shqiptare ka intensifikuar kontrollet përgjatë kufirit të gjelbër dhe në zonat detare për të identifikuar personat e përfshirë në rrjetet e trafikimit.
Burime hetimore ngrenë dyshime për një riaktivizim të linjave të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë. Sipas të dhënave të autoriteteve, gjatë 10 muajve të fundit në rajonin e Igumenicës janë sekuestruar rreth 540 kilogramë marijuanë, ndërsa në zonat e Janinës, Kosturit dhe Selanikut sasia totale e drogës së kapur arrin në rreth 1.2 ton.
Hetimet vijojnë në të dy anët e kufirit për identifikimin dhe goditjen e rrjeteve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






