Transmetuar më 15-06-2026, 15:39

TIRANË, 15 qershor 2026 – Policia e Tiranës ka nisur hetimet lidhur me bllokimin e autostradës Tiranë–Durrës dhe aksit rrugor që lidh kryeqytetin me Aeroportin e Rinasit, pas protestës së zhvilluar një ditë më parë.

Në kuadër të veprimeve hetimore, disa persona të identifikuar si organizatorë të protestës janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga autoritetet. Mes tyre është edhe Gent Progni, i cili, sipas materialeve filmike të administruara nga grupi hetimor, shfaqet duke udhëhequr marshimin e protestuesve.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Progni pritet të hetohet në gjendje të lirë për veprat penale që lidhen me prishjen e qetësisë publike, bllokimin e rrugëve dhe organizimin e një tubimi të paligjshëm.

Sipas të njëjtave burime, ai dyshohet se ka luajtur një rol aktiv në koordinimin e lëvizjes së protestuesve, duke njoftuar pjesëmarrësit për vijimin e marshimit dhe zhvendosjen drejt aksit rrugor të Rinasit.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka siguruar dhe administruar pamje filmike nga zhvillimi i protestës, të cilat po analizohen për të dokumentuar itinerarin e ndjekur nga protestuesit dhe për të përcaktuar rolin e personave të përfshirë në organizimin e tubimit.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të dalin me një qëndrim zyrtar pas përfundimit të verifikimeve paraprake.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit