

I akuzuari si financues dhe porositës i trafikut të kokainës nga Amerika Latina u vetëdorëzua pas dy vitesh në kërkim ndërkombëtar.
Gykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" për Eralbi Breçanin, djalin e ish-zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani. Vendimi vjen vetëm dy ditë pas ekstradimit të tij nga Spanja, shtet ku u vetëdorëzua më 2 prill të këtij viti, pas rreth dy vitesh në arrati.
Eralbi Breçani ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej nëntorit të vitit 2023, në kuadër të një operacioni të gjerë të ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Sipas fashikullit hetimor, ai dyshohet si një nga financuesit dhe porositësit kryesorë të sasive të mëdha të kokainës që trafikoheshin nga Amerika Latina drejt vendeve të Bashkimit Europian, duke bashkëpunuar ngushtë me emra të njohur të botës së krimit, si Ervin Mata dhe i ndjeri Ergys Dashi.
Provat kryesore të SPAK-ut bazohen në zbërthimin e komunikimeve sekrete në aplikacionin "SkyECC". Përmes këtyre përgjimeve, hetuesit i atribuojnë Breçanit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Ismail Zeneli e Besmir Murtati, një sasi prej 446 kilogramësh kokainë të sekuestruar në Holandë në dhjetor të vitit 2021.
Sipas dosjes së prokurorisë, paratë e përfituara nga ky aktivitet kriminal dyshohet se pastroheshin në Shqipëri me ndihmën e babait të tij, Erzen Breçani. Ky i fundit akuzohet se përmes veprimeve aktive ka administruar dhe futur në qarkullimin ekonomik të ardhurat e djalit, duke tentuar të mbulojë origjinën e tyre të paligjshme. Përveç trafikut dhe pastrimit të parave, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal shfrytëzonin edhe lidhjet dhe pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri për të siguruar informacion të klasifikuar, duke iu shmangur kështu operacioneve të policisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






