Transmetuar më 15-06-2026, 13:02

Nëna e Monika Kryemadhit refuzon pretencën e SPAK-ut dhe kërkon proces të rregullt, me pretendimin se organi i akuzës ka injoruar të ardhurat e saj të ligjshme.

Fatime Kryemadhi, e akuzuar nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të pastrimit të parave, ka vendosur të tërhiqet zyrtarisht nga kërkesa për gjykim të shkurtuar. Vendimi i befasishëm u komunikua këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pikërisht në momentin kur prokurorët e SPAK-ut ishin gati për të lexuar pretencën dhe për të shpallur kërkesën për dënimin e saj.

Përpara trupit gjykues, Kryemadhi ka kundërshtuar hapur vijimin e procedurës me këtë mekanizëm lehtësues, duke argumentuar se kjo formë nuk i jep mundësi për të provuar pafajësinë e saj. “Nuk dua gjykim të shkurtuar. Nuk e ndjej veten fajtore. SPAK nuk ka marrë asgjë parasysh nga të ardhurat e mia”, ka deklaruar e pandehura, duke pretenduar se hetuesit nuk kanë administruar siç duhet dokumentacionin mbi burimet e saj financiare.

Gjatë seancës, gjyqtarja e çështjes i ka sqaruar të pandehurës se aplikimi i gjykimit të shkurtuar nuk nënkupton automatikisht pranimin e fajësisë, por thjesht një procedurë ku palët bien dakord që procesi të zhvillohet mbi bazën e akteve dhe provave të grumbulluara nga prokuroria gjatë fazës së hetimit paraprak, në këmbim të një uljeje të mundshme të dënimit me një të tretën.

Pavarësisht sqarimit ligjor nga ana e gjykatës, Fatime Kryemadhi ka insistuar në qëndrimin e saj për t’iu drejtuar një gjykimi të zakonshëm. Pas kësaj lëvizjeje procedurale, trupi gjykues pritet të marrë vendim për ndryshimin e formës së gjykimit, çka do të sjellë rihapjen e plotë të fashikujve, thirrjen e dëshmitarëve dhe shqyrtimin e detajuar të provave të mbrojtjes për të ardhurat e saj.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit