

Tre vëllezërit nga Tropoja kanë sulmuar fizikisht Petrit Çakrrin me pretendimin se ky i fundit ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe ka shpifur ndaj tyre.
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me përleshjen fizike të ndodhur brenda ambienteve të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ku katër të pandehurit për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra u përplasën dhunshëm brenda kafazit të xhamit. Burime nga seanca, e cila po zhvillohej me dyer të mbyllura, bëjnë me dije se konflikti ka nisur sapo trupi gjykues ka hapur shqyrtimin.
Tre vëllezërit Fatjon, Aleksandër dhe Kristi Bushgjokaj kanë sulmuar menjëherë me grushte dhe shkelma të bashkëpandehurin Petrit Çakrri (Hoxha), duke e përplasur atë pas murit të kafazit të xhamit. Shkak për këtë agresion verbal dhe fizik janë bërë pretendimet e vëllezërve se Çakrri ka dëshmuar kundër tyre para hetuesve, duke i akuzuar për spiunim dhe shpifje. Ndërhyrja e forcave të rendit ka qenë e menjëhershme, por gjatë përpjekjes për të neutralizuar palët dhe për të ndalur dhunën, kanë mbetur të dëmtuar lehtë edhe tre efektivë të togës së shoqërimit të burgjeve.
Procesi gjyqësor ndaj tyre zhvillohet për ngjarjen e rëndë të regjistruar më 8 korrik, ku i riu Renis Dobra u mor peng dhe më pas u mbyt me litar. Trupi i viktimës u gjet i hedhur buzë liqenit të Shkopetit, ndërsa automjeti i tij u zbulua i fundosur në ujë.
Zbardhja e këtij krimi u bë e mundur nga strukturat e Policisë së Shtetit përmes këqyrjes së kamerave të sigurisë në disa akse rrugore. Këto filmime ndihmuan hetuesit të identifikonin dhe të gjurmonin automjetet e marra me qira, të cilat u përdorën nga grupi i autorëve gjatë ditëve të organizimit dhe realizimit të pengmarrjes dhe vrasjes, që dyshohet se erdhi pas prishjes së pazareve të drogës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






