Transmetuar më 15-06-2026, 11:10

Gjykata Themelore në Prishtinë shpall fajtor të akuzuarin që paguhej nga BIA serbe për të dërguar informacione mbi UÇK-në dhe radikalizmin fetar në Kosovë e Siri.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Hysri Selimit, duke e dënuar atë me 6 vjet burgim nën akuzën e spiunazhit në favor të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA). Vendimi u dha këtë të hënë nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Leon Përlaska, ndërsa të pranishëm në seancë ishin prokurori Bekim Kodraliu dhe avokati mbrojtës Ali Beka.

Selimi, i cili më parë ka vuajtur një dënim për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS, akuzohet se ka pasur një aktivitet të gjatë spiunazhi që prej nëntorit të vitit 2009 e deri në momentin e arrestimit të tij më 6 maj 2025. Përveç dënimit me heqje lirie, i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së vendimit, Selimi është obliguar të paguajë edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore, ndërsa masa e paraburgimit i është vazhduar.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Selimi ishte rekrutuar nga BIA serbe, e cila e kishte pajisur me mjete financiare dhe telefona celularë, duke i premtuar edhe blerjen e një shtëpie. Me udhëzim të shërbimit serb, ai kishte udhëtuar në Siri në vitin 2015 për t’u rreshtuar krah ISIS-it, me qëllim mbledhjen e të dhënave mbi numrin e luftëtarëve shqiptarë, organizimin e tyre dhe zonat ku operonin.

Hetimet zbuluan se pas kthimit në Kosovë dhe përfundimit të dënimit të parë, Selimi kishte vijuar bashkëpunimin me zyrtarë të lartë të BIA-s, përfshirë drejtorin për luftimin e terrorizmit të këtij shërbimi. Takimet sekrete zhvilloheshin në Vranjë, Nish dhe Bujanoc, ku i akuzuari dorëzonte informacione mbi zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, funksionimin e mesxhideve të paligjshme, si dhe të dhëna për veteranët e UÇK-së dhe vrasjet e pasluftës.

Prokuroria Speciale provoi se Selimi paguhej rregullisht deri në 700 euro në muaj nga inteligjenca serbe. Përmes këtyre veprimeve, Gjykata konstatoi se i dënuari ka dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës, duke ndihmuar strukturat e Beogradit në ndërtimin e një narrative të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit