Transmetuar më 15-06-2026, 10:55

Pas rrebesheve afatshkurtra në zonat malore, fundjava dhe fillimi i javës së ardhshme sjellin kulmin e valës së të nxehtit ekstrem.

Shqipëria pritet të përfshihet nga një valë e fortë e të nxehtit afrikan duke filluar nga mbrëmja e së enjtes, me temperatura ekstremisht të larta që në zona të izoluara do t’i afrohen pragut të 40 gradë Celsius. Alarmi është ngritur nga meteorologia e MeteoAlb, Lajda Porja, e cila paralajmëroi se kulmi i kësaj preference termike do të regjistrohet gjatë ditëve të diel, të hënë dhe të martë.

Sipas parashikimeve, ditët e para të javës do të mbeten relativisht të qëndrueshme, me temperatura që do të luhaten deri në 32 gradë në ultësirën perëndimore, 30 gradë në bregdet dhe 27-28 gradë në zonat malore. Megjithatë, ditët e martë, e mërkurë dhe pjesërisht e enjte do të sjellin rrebeshe të izoluara dhe afatshkurtra pasditeje, kryesisht në shtrirjen lindore, verilindje dhe juglindje të vendit.

Ndryshimi radikal i situatës sinoptike nis të enjten në mbrëmje me rreshtimin e masave ajrore me origjinë nga Afrika. Termometri do të shënojë 35-36 gradë të enjten, 37 gradë të premten, ndërsa nga e shtuna deri të mërkurën e javës së ardhshme vlerat do të rriten ndjeshëm. Ep qendra e vapës pritet të jetë qarku i Beratit (veçanërisht Kuçova) dhe Shkodra, ku probabiliteti për të prekur vlerat 39 deri në 40 gradë është mjaft i lartë. Temperaturat e larta në kufijtë e 38-39 gradëve do të prekin edhe Elbasanin, Gjirokastrën dhe Tiranën, ndërsa bregdeti do të regjistrojë deri në 36 gradë.

Sinoptikanët tërheqin vëmendjen se për shkak të lagështirës së lartë të mbetur në ajër nga rrebeshet e ditëve të para, vapa do të ketë një ndjesi mbytëse dhe do të ndihet edhe më e fortë. Ndërkohë, moti do të jetë plotësisht i thatë dhe me diell dominues nga e premtja deri në mesin e javës tjetër, kur pritet edhe një tërheqje e përkohshme e valës afrikane.

Për shkak të rrezikut nga temperaturat ekstreme, ekspertët këshillojnë qytetarët, e në veçanti grupet vulnerabël si të moshuarit dhe fëmijët, të shmangin maksimalisht ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, nga ora 11:00 deri në 15:00.

Lajda Porja: Kjo do të shënojnë edhe 32 gradë, është vija bregdetare e cila përgjatë këtyre tre ditëve do mbetet termometri në 30 gradë dhe zonat malore në 27 apo 28 gradë. Ndërkohë minimalet, temperatura më e ulët sot është shënuar në Bulqizë 10 gradë. Parashikohet që moti të jetë i qëndrueshëm edhe pse vranësirat do t’i kemi prezente gjatë pasditeve pothuajse. Sot nuk presim që të ketë reshje. Dita e martë, e mërkurë dhe pjesërisht dita e enjte do të sjellin rrebeshe afatshkurtra në zonat malore.

Të martën do të ketë vetëm skaji verior, të mërkurën do të ketë verilindja dhe juglindja dhe ditën e enjte pjesa më e madhe e shtrirjes lindore ku paraditja do të jetë me diell por pasditja do të ketë edhe rrebeshe të izoluara dhe krejtësisht afatshkurtra. Pastaj nëse flasim për situatën termike kemi një ndryshim pas ditës së mërkurë duke filluar që nga dita e enjte në mbrëmje dhe le të themi e premtja dhe fundjava do të kemi sërish riaktivizim të masave ajrore afrikane duke sjellë temperatura mjaft të larta.

Të enjten presim 35-36 gradë, 37 të premten dhe fundjava dhe fillimi i javës tjetër, të paktën deri nga dita e mërkurë do të jetë në ndikimin e një moti mjaft të nxehtë, ku do t’i afrohemi vlerës 39 gradë, mund të ketë zona të izoluara që t’i afrohen edhe termometrit 40 gradëshit.

Megjithatë qytetet ose qarqet më me temperatura, me vlerat më të larta do jenë Shkodra, në radhë të parë Berati, më pas vjen Elbasani, Gjirokastra, Tirana gjithashtu dhe presim që e gjithë ultësira perëndimore të paktën sidomos nga fundjava, nga e shtuna dhe deri të mërkurën e javës tjetër të jetë me temperatura shumë të larta.

Duke qenë se gjatë gjithë këtyre ditëve moti nuk është totalisht i thatë, pra kemi lagështirë prezente në ajër, reshje ka gjatë gjithë kohës në zonat malore dhe lagështira do të bëjë që ne ta ndjejmë të nxehtin akoma më shumë. Presim nga mesi i javës tjetër të ketë një freskim të motit dhe rënie të temperaturave ose më saktë normalizim të tyre, por rreth dy apo tre ditësh…

Moti do jetë i thatë nga e premtja, nuk ka reshje as në zonat malore. E premtja, e shtuna, e diela, e hëna, e marta dhe deri të mërkurën tjetër do të jetë nën ndikimin e diellit, intervale të gjata me kthjellime. Orët e pikut tashmë ne i themi herë pas here janë nga ora 11:00 deri në orën 3:00 të pasdites, ky është edhe intervali ku termometri shënon temperatura të larta. Ditët më të nxehta do të jenë e diela dhe e hëna, por edhe dita e martë. Edhe e marta se termometri presim që t’i afrohet vlerës 40 gradë në ndonjë zonë të izoluar. Ne parashikojmë një probabilitet mjaft të lartë me temperatura 39 gradë në qarkun e Shkodrës.

Një temperaturë afër 40 gradëshit mund të shënohet në qarkun e Beratit, në Kuçovë. Elbasani mund t’i afrohet 38, 39 gradëshit, Gjirokastra gjithashtu. Tirana do të jetë në vlerën 37 apo 38. Bregdeti i cili është pak më i freskët do të jetë në vlerën 36 gradë kryesisht jugu, dhe zonat malore do jetë Kukësi që do të shënojë dhe temperaturat më të larta, dhe pak më freskët do të jetë qarku i Korçës.

Do jenë afërsisht katër, pesë ditë mjaft të nxehta, pra nga e premtja deri të mërkurën. Të mërkurën kemi një shkëputje dhe tërheqje të valës. Këto valët afrikane riaktivizohen, futen në territor dhe tërhiqen herë pas here duke qenë se kemi ndërhyrje të një mase tjetër më të freskët dhe më pas kemi prapë riaktivizim të tyre. E kemi thënë tashmë që jemi futur në sezonin e verës ku temperaturat e larta do t’i kemi prezente, ku dielli do të jetë dominant, nuk do të mungojnë këto rrebeshet e përkohshme.

Kryesisht janë zonat lindore ato që janë më të rrezikuara, duke futur këtu edhe kryeqytetin edhe Elbasanin që mbeten gjatë gjithë verës të rrezikuar nga këto rrebeshet, të cilat zgjasin vetëm disa minuta. Megjithatë, ditët më të nxehta, siç e theksova, është e diela, e hëna, por do ndihet dhe të martën sepse e marta ka vetëm një rënie të lehtë dhe me 1 gradë nuk është se e ndjejmë atë ndryshimin.

Qytetet më të nxehta do të jenë Shkodra, Elbasani, Gjirokastra, Berati. Më pas vjen në vijën e dytë të frontit Tirana, Fieri dhe Lushnja. Pak më freskët bregdeti, dhe do jetë Korça e cila do të ketë atë favoritin më të madh ku do jetë akoma më freskët. Mund t’i afrohemi 40 gradëshit por parashikojmë një temperaturë 39 gradë. Mund të shënohet 39.5, 39.6 por kryesisht do të jetë Berat dhe Shkodër. Këto janë edhe zonat ku presim këtë maksimumin e kësaj jave.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit