

Kryetari i Partisë Demokratike akuzon kreun e SPAK-ut për amnistim të farsës elektorale dhe bashkëpunim me qeverinë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të ashpra në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, duke e cilësuar atë si "monstër të votës së lirë" dhe duke e akuzuar për mbrojtje të krimit zgjedhor në vend.
Përmes një deklarate, Berisha bëri me dije se organi i akuzës ka penalizuar vetëm një person nga dhjetëra dosje të depozituara nga opozita për manipulimin e proceseve zgjedhore. "Kam sot detyrimin t’u informoj se nga 48 dosje të shqyrtuara, kanë penalizuar vetëm një," deklaroi lideri i opozitës, duke shtuar se bllokimi i këtyre çështjeve dëshmon armiqësi të hapur ndaj votës së popullit opozitar.
Sipas Berishës, ndërsa SPAK refuzon të hetojë me qindra fakte dhe dokumente të paraqitura, farsa elektorale në Shqipëri është konfirmuar tashmë në mënyrë universale nga raportet e OSBE/ODIHR-it, deputetët e Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian.
Në fund të reagimit të tij, Berisha lidhi sulmet e tij ndaj drejtuesve aktualë dhe të mëparshëm të SPAK-ut me mënyrën se si ky institucion trajtoi dosjet e famshme të manipulimit të votave në Dibër dhe në Durrës, duke i akuzuar ata për rreshtim të hapur në krah të maxhorancës socialiste.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






