

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj protestës që prej ditësh po zhvillohet kundër projektit në Sazan dhe Zvërnec, duke deklaruar se tubimi ka humbur lidhjen me kauzën fillestare dhe po dëmton interesat e vendit.
Në një reagim publik, Rama tha sot se protestuesit kanë të drejtë të protestojnë paqësisht, por theksoi se, sipas tij, protesta nuk lidhet më me projektin në Sazan apo Zvërnec, pasi dokumentacioni dhe procedurat e ndjekura nga qeveria tregojnë se janë respektuar standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Sipas kreut të qeverisë, protesta po godet imazhin e Shqipërisë dhe po krijon perceptime negative tek turistët dhe investitorët e huaj. Ai paralajmëroi se anulimet e rezervimeve në hotele dhe bllokimet e rrugëve mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë e familjeve që jetojnë nga turizmi.
Rama kritikoi veçanërisht marshimin e protestuesve drejt autostradës Tiranë-Durrës dhe më pas drejt rrugës së Rinasit, duke e cilësuar bllokimin e lëvizjes së qytetarëve si shfaqje të ekstremizmit dhe si cenim të lirive të të tjerëve.
Ai shprehu keqardhje për të rinjtë që iu bashkuan protestës, duke deklaruar se ata janë manipuluar nga, sipas tij, “forca destruktive” që synojnë të dëmtojnë Shqipërinë. Rama tha se shumë prej tyre e kuptuan vetë gabimin e marshimit drejt aeroportit dhe shpreson që të shkëputen nga ata që, sipas tij, kanë marrë kontrollin e protestës.
Kryeministri akuzoi gjithashtu figura të njohura publike që kanë mbështetur protestën, duke thënë se disa prej tyre po përpiqen të përfitojnë politikisht nga situata.
Megjithatë, Rama u shpreh se përfituesit e vetëm realë të kësaj proteste do të jenë qeveria dhe Partia Socialiste. Sipas tij, qeveria do të nxjerrë mësime nga shqetësimet legjitime të protestuesve, ndërsa Partia Socialiste do të dalë më e fortë politikisht pasi të kalojë situata aktuale.
E plotë:
Protestuesit janë të lirë të protestojnë paqësisht për çfarë të duan, si të duan e deri kur të duan, por pa dashur t’ju bëj moral nuk kam se si mos t’u them:
1. Kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin a me Zvërnecin, sepse i gjithë dokumentacioni i procesit dhe e gjithë qasja e dokumentuar qeverisë, tregojnë qartë që qeveria është në lartësinë e interesit publik e të standarteve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
2. Kjo protestë po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe te pasigurtë për turistët. Anullimet e rezervimeve të hoteleve dhe bllokimet e rrugëve paralajmërojnë një sezon jo pozitiv ekonomikisht, për shumë e shumë familje e njerëz që kanë lidhje direkte apo indirekte me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit.
3. Kjo protestë që arrin e degradon në një turmë të drejtuar nga mendje të liga dhe duar të këqia drejt rrugës së aeroportit, duke bllokuar natën në rrugë mijëra njerëz në lëvizjen e tyre të lirë, ka brenda saj pikërisht atë të keqen e madhe të ekstremizmit që frymëzon bullizimin online dhe prishjen me pahir të ritmit të jetës së shumicës.
4. Keqardhje për të rejat e të rinjtë e zhgënjyer nga marshimi qorrazi drejt Rinasit me shijen e lirisë e të pavarësisë së tyre dhe në emër të një revolucioni imagjinar, derisa e kuptuan edhe vetë se çfarë budallallëku kishin bërë duke i shkuar mbrapa skuthave të infiltruar nga forcat destruktive, brenda a jashtë, të cilat po bëjnë çmos për ta dëmtuar sa më shumë Shqipërinë. Uroj që të zgjohen sa më parë nga ky jerm dhe të shkëputen një orë e më parë nga mendjet e liga dhe duart e këqia që tanimë e kanë marrë në kontroll protestën.
5. Kjo protestë ka ekzaltuar edhe shumë personazhe me një emër të dëgjuar në mexhelisin e jetës publike. Me mendjet e tyre të cekëta ata i janë bashkuar asaj me mënyra të ndryshme, në bulevard apo në kanalet sociale e mediatike, me idenë se deti u bë kos, qeveria po mbytet, një orë e re erdhi për lugët në brezat e tyre.
Por nëse ka përfitues të vërtetë nga kjo protestë, ata janë vetëm dy:
Qeveria Shqiptare, e cila do të nxjerrë patjetër mësimet që i duhen nga pjesa e çiltër e protestës, duke adresuar si duhet shqetësimet legjitime të asaj pjese dhe Partia Socialiste, e cila kur të shpërndahet mjegulla do t’i zhgënjejë rëndë të gjithë kundërshtarët e saj, duke u shfaqur më e madhe dhe më e fortë në qendër të skenës politike të Shqipërisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






