

SHBA – Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pas më shumë se tre muajsh e gjysmë tensionesh dhe përballjesh.
Sipas Sharif, marrëveshja parashikon ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin. Ceremonia zyrtare e nënshkrimit pritet të zhvillohet më 19 qershor në Zvicër.
Kryeministri pakistanez bëri të ditur se në ditët e ardhshme do të zhvillohen kontakte dhe takime nën kujdesin e ndërmjetësve ndërkombëtarë për të përgatitur bisedimet teknike dhe procedurat që do t’i paraprijnë nënshkrimit të marrëveshjes.
Sharif falënderoi Katarin, Arabinë Saudite dhe Turqinë për rolin e tyre në procesin e ndërmjetësimit, duke vlerësuar kontributin e tyre në afrimin e palëve drejt një zgjidhjeje diplomatike.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se, në kuadër të marrëveshjes, pritet rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe heqja e bllokadave detare ndaj porteve iraniane.
Sipas raportimeve mediatike, korniza e marrëveshjes përfshin angazhimin e Iranit për të mos zhvilluar apo siguruar armë bërthamore, ndërsa Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e lehtësimit të një pjese të sanksioneve ekonomike ndaj Teheranit.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave të bëra deri më tani, as autoritetet amerikane dhe as ato iraniane nuk kanë konfirmuar zyrtarisht finalizimin e marrëveshjes, duke lënë ende hapësirë për pritje deri në një njoftim zyrtar nga të dyja palët.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






