

Protesta kundër klasës politike hyri në ditën e saj të 15-të me një skenar ndryshe nga netët e mëparshme, teksa protestuesit bllokuan për disa orë autostradën Tiranë-Durrës dhe më pas marshuan drejt rrugës së Rinasit, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Pas qëndrimit për rreth dy orë para Kryeministrisë dhe marshimit në rrugët e kryeqytetit, protestuesit u drejtuan fillimisht drejt autostradës Tiranë-Durrës, duke shkaktuar bllokim të qarkullimit. Më pas ata vijuan lëvizjen drejt Rinasit, me synimin për t’iu afruar aeroportit.
Rreth orës 02:00 pas mesnate, protestuesit u përballën me forca të shumta policie, përfshirë Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe efektivë të FNSH-së, të cilët kishin ngritur disa kordonë sigurie dhe kishin pozicionuar mjete të rënda përgjatë rrugës.
Te pjesa e fundit e rrugës që të çon në aeroport, policia kishte vendosur disa automjete të saj për të penguar protestuesit.
Për rreth një orë protestuesit qëndruan të ulur në rrugën e Rinasit, ndërsa pas diskutimeve vendosën të mos avancojnë më tej dhe të kthehen drejt Tiranës, duke shmangur përshkallëzimin e situatës.
Gjatë nisjes së protestës u raportuan edhe tensione të izoluara, pasi disa persona me kapuçë dhe syze të zeza krijuan shqetësim mes pjesëmarrësve. Situata u tensionua më tej pas pretendimeve se qytetarëve po u kërkoheshin kartat e identitetit për nënshkrimin e një peticioni, akuzë që organizatorët e mohuan, duke e cilësuar si provokim.
Edhe në këtë protestë nuk munguan thirrjet për dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Pjesëmarrësit shprehën pakënaqësitë ndaj klasës politike të 35 viteve të fundit përmes pankartave ironike, mesazheve satirike dhe fjalimeve të mbajtura në podiumin e ngritur para Kryeministrisë.
Një moment që u përshëndet nga protestuesit ishte largimi i deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, të cilin ata e cilësuan si një fitore të lëvizjes së tyre.
Tubimit iu bashkuan gjithashtu edhe banorë të Durrësit që kundërshtojnë projektin TID. Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit marshuan në rrugët e Tiranës dhe më pas u futën në segmentet e Unazës Lindore, duke vijuar aksionin e tyre gjatë orëve të natës. Rreth orës 03.00 ata u shpërndanë pa incidente.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






