

🔥 Marrëveshja SHBA-Iran trondit tregjet, nafta bie menjëherë! Ja çfarë po ndodh me Ngushticën e Hormuzit
Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të ndjeshme në tregjet aziatike, pasi u njoftua arritja e një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Nafta Brent, standardi global i referencës, ra me 3.8%, duke zbritur në 84.02 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në Shtetet e Bashkuara shënoi një rënie prej 4.1%, duke arritur në 81.40 dollarë për fuçi.
Reagimi i tregjeve erdhi menjëherë pasi Pakistani njoftoi se marrëveshja mes Uashingtonit dhe Teheranit është arritur dhe pritet të nënshkruhet zyrtarisht të premten në Zvicër.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi gjithashtu në rrjetet sociale, duke përshëndetur marrëveshjen dhe duke deklaruar se “nafta do të rrjedhë sërish”.
Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë, ishte praktikisht e mbyllur që prej fundit të muajit shkurt, pak pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt.
Momentalisht raportohet se 2 anije kaluan Ngushticën ndërsa 374 të tjera janë në radhë dhe tranzit për të kaluar.
Rihapja e kësaj rruge strategjike shihet nga tregjet si një zhvillim pozitiv që mund të lehtësojë furnizimin global me energji dhe të ulë presionin mbi çmimet ndërkombëtare të karburanteve.
Trump shpalli marrëveshjen
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se marrëveshja me Iranin është përfunduar dhe se ka autorizuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, si dhe heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane. Njoftimi i tij vjen ndërsa Pakistani dhe zyrtarë iranianë kanë deklaruar se një memorandum mirëkuptimi pritet të nënshkruhet zyrtarisht më 19 qershor në Zvicër.
Deklarata e plotë e Trump:
“Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tani është përfunduar. Urime të gjithëve! Me këtë autorizoj plotësisht hapjen pa tarifa të Ngushticës së Hormuzit dhe, njëkohësisht, autorizoj heqjen e menjëhershme të bllokadës detare të Shteteve të Bashkuara. Anije të botës, ndizni motorët tuaj. Le të rrjedhë nafta!”
— Presidenti Donald J. Trump
Pas këtij njoftimi, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë rënë ndjeshëm, ndërsa investitorët po e shohin marrëveshjen si një hap drejt normalizimit të furnizimit global me energji.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






