Transmetuar më 15-06-2026, 02:45

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka deklaruar se një “marrëveshje paqeje” mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Islamike të Iranit është arritur pas negociatave intensive, ndërsa ceremonia zyrtare e nënshkrimit pritet të zhvillohet të premten, më 19 qershor, në Zvicër.

Në një deklaratë të publikuar të hënën, Sharif tha se sipas marrëveshjes, të dyja palët kanë shpallur ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.

Ai falënderoi Shtetet e Bashkuara, Iranin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Turqinë për rolin e tyre në procesin e ndërmjetësimit.

“Pas bisedimeve intensive, kemi kënaqësinë të njoftojmë se marrëveshja e paqes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës Islamike të Iranit është ARRIJTUR”, deklaroi Sharif në njoftimin që publikoi edhe në platformën X, raporton noa.al.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, pretendoi gjithashtu se “marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tani është përfunduar”.

“Me këtë autorizoj plotësisht hapjen pa tarifa të Ngushticës së Hormuzit dhe, njëkohësisht, autorizoj heqjen e menjëhershme të bllokadës detare të Shteteve të Bashkuara. Anije të botës, ndizni motorët. Le të rrjedhë nafta!”, shkroi Trump.

Nga ana tjetër, zëvendësministri iranian për Çështjet Ligjore dhe Ndërkombëtare, Kazem Gharibabadi, njoftoi se memorandumi i mirëkuptimit (MoU) mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është finalizuar dhe do të nënshkruhet zyrtarisht të premten në Zvicër, duke theksuar se marrëveshja është ndërtuar mbi bazën e “mosbesimit aktiv” ndaj armikut.

“Ne kemi përfshirë në draftin e memorandumit të gjitha qëndrimet tona të rëndësishme”, deklaroi Gharibabadi të dielën.

Zëvendësministri iranian shtoi se duke filluar nga mbrëmja e së hënës, bllokada detare amerikane ndaj Iranit do të marrë fund, së bashku me “ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të luftës dhe operacioneve ushtarake në fronte të ndryshme, përfshirë Libanin”.

Ky njoftim vjen pas javësh negociatash intensive të ndërmjetësuara nga Pakistani, me mbështetjen e Katarit, Arabisë Saudite dhe Turqisë.

Detajet e marrëveshjes do të bëhen publike vetëm më 19 qershor.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit