Transmetuar më 14-06-2026, 23:08

TIRANË – Vendimi i deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe për të vijuar mandatin si deputete e pavarur ka nxitur reagime brenda radhëve të socialistëve, veçanërisht nga përfaqësues të brezit të ri të partisë.

Mes reagimeve të para ishte ai i Helena Kaçes, e njohur për angazhimin e saj në strukturat e Partisë Socialiste dhe për rolin që pati në hapjen e Kongresit të fundit të PS-së. Në një qëndrim publik në rrjetet sociale, ajo argumentoi se shkëputja nga një forcë politike duhet të shoqërohet edhe me dorëzimin e mandatit parlamentar.

“Pavarësia e vërtetë nuk nis me dorëzimin e teserës dhe mbajtjen e mandatit. Nëse bindjet politike nuk përputhen më me forcën që të ka përfaqësuar, hapi më i drejtë është kthimi i mandatit tek ata që të besuan”, u shpreh Kaçe.

Reagim ka pasur edhe nga Alfred Muharremi, një tjetër përfaqësues i brezit të ri socialist, i cili vlerësoi të drejtën e çdo deputeti për të ndjekur bindjet e veta politike, por ngriti pikëpyetje mbi mënyrën dhe momentin e marrjes së këtij vendimi.

Sipas tij, çështjet dhe kauzat që Koçeku ka artikuluar së fundmi kanë qenë të njohura edhe më herët dhe mund të ishin mbrojtur brenda forumit parlamentar.

“Nëse një deputet vlerëson se nuk përfaqëson më forcën politike nën siglën e së cilës është zgjedhur, atëherë akti politik duhet të shkojë përtej largimit nga partia dhe të përfshijë edhe dorëzimin e mandatit”, theksoi Muharremi.

Debati mbi statusin e mandatit parlamentar është rikthyer në qendër të diskutimit politik pas njoftimit të Koçekut, e cila deklaroi se do të vijojë aktivitetin e saj politik si deputete e pavarur, duke argumentuar se vendimi lidhet me bindjet dhe vlerat që, sipas saj, kanë udhëhequr angazhimin e saj publik që përpara hyrjes në politikë.

Largimi i saj nga grupi parlamentar socialist konsiderohet një zhvillim me peshë politike, ndërsa reagimet brenda Partisë Socialiste pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit